Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, të martën, do të hapet ekspozita e artistit Mentor Berisha “Frymëmarrje në gardh”.
Kuratori i kësaj ekspozite, prof. Fadil Hysa, është shprehur se Mentor Berisha është piktor dhe skulptor i brezit të ri të artistëve figurativë të Kosovës i cili kultivon një stil të veçantë pikturimi dhe skulpturimi, që rrallë e ndeshim tek artistët e brezit të ri.
“Në pikturat e tij mund të shohim imazhe nga e kaluara jonë, e cila rrezikon të tretet në harresë por fatmirësisht, ndonjëherë rrallë, si në këtë rast, ato ri-gjejnë rrugën e kthimit në kohën tonë, përmes laboratorit krijues të artistit”, ka theksuar Hysa.
Ky projekt financohet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe drejtohet nga znj. Dhurata Ramosaj Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës.