22 vjet më parë Kosova u çlirua nga okupatori serbë.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.
Ushtarët e KFOR-it të cilët shënuan fundin e luftës dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, në qershor të vitit 1999 u pritën me lot, lule e brohorima.
Emocion të tillë kishte edhe një i moshuar i cili ishte përkulur dhe kishte ngritur lartë dy gishta që simbolizojnë fitoren, posa kishte hyrë në Kosovë.
Fotografia e realizuar nga Antonello Nusca, paraqet më së mirë emocionin e përjetimit të lirisë nga një i moshuar.