Meraku për dy pikët “e humbura” dhe lëndimin e lojtarit kryesor

Prishtinë | 12 Tet 2019 | 08:32 | Nga Ekonomia Online

Zvezdan Terziq ishte në krye të delegacionit të Cërvena Zvezdës, që të mërkurën nuk iu lejua hyrja në territorin e Kosovës. Drejtori gjeneral i klubit nga Beogradi, Cërvena Zvezda, të premten nuk është lejuar të futet as në territorin e Malit të Zi. Ai dyshohet se ka “minuar” përfaqësuesen e Malit të Zi në prag të ndeshjes me Kosovën, të luajtur më 7 qershor në Podgoricë.

Ajo ndeshje, përkatësisht zhvillimet para e pas saj, vazhdojnë të jenë aktuale në Mal të Zi, por edhe në Serbi. Përzgjedhësi i atëhershëm i Malit të Zi, serbi Lubisha Tumbakoviq, në ditën e ndeshjes kishte refuzuar të drejtojë përfaqësuesen ndaj Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Dy lojtarë serbë të Malit të Zi refuzuan të luajnë kundër Kosovës. Sikur kjo të mos mjaftonte, ndeshja ishte luajtur pa shikues, në stadium të zbrazët. Dhe me gjithë rrethanat lehtësuese, Kosova mori “vetëm” një pikë në atë ndeshje. 1:1 kishte përfunduar takimi në kryeqendrën malazeze. Kosova kishte vazhduar serinë pozitive, por më pas u vlerësua se “dardanët” humbën dy pikë e nuk fituan një, bazuar në paraqitjen në fushë e po ashtu telashet e shumta në kampin kundërshtar.

Mali i Zi ishte në momentin më të vështirë prej themelimit si përfaqësuese, ndërsa Kosova pos që lëshoi dy pikë, humbi për kohë të gjatë edhe një prej lojtarëve kryesorë. Sulmuesi i krahut, Arbër Zeneli, pësoi lëndim të rëndë, të cilin është duke e sanuar ende. Ai nuk pritet të kthehet në fushën e blertë deri vitin tjetër. Zeneli do t’i mungojë Kosovës në ndeshjet vendimtare për kualifikim në “Euro 2020”. Për kualifikim, dy pikët që ndoshta Kosova ka mundur t’i fitojë atë natë në Podgoricë, mund të jenë vendimtare në fund.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme