Edhe kompania e njohur Lumma Design, në ofertën e saj tani ka paketën e kompletuar për modifikimin e modelit të ri G63 të Mercedes-AMG.
Fjala është për paketën e quajtur “Lumma CLR G770”, e cila ndër të tjera përfshinë mbrojtësit anësor të zgjeruar, kofanon e re, pragjet e reja, mbrojtësin e pasmë shtesë (spoiler) në çati, etj., ku të gjitha përbëhen nga fibra të karbonit, transmeton Koha.net. Po ashtu, në përfshihet edhe set i ri i rrotave “Lumma” prej 24-inç me goma 295/30 dhe 355/25, xhamat e errët, dritat shtesë në çati, maskën e përparme me logon “Lumma”, mbështjellësin e gomës rezervë, sistemin sportiv të shkarkimit të gazrave, amortizatorët e modifikuar, si dhe interier me lëkurë më cilësore dhe pedalet nga alumini.
Sa i përket motorit të këtij Mercedes-AMG G63 të ri, i cili standard ka motor 4.0-litër Bi-Turbo V8 me kapacitet prej 430 kW/585 kuajfuqi, Lumma e ka përforcuar në 478 kW/650 kuajfuqi.
Gjithashtu, në ofertë Lumma ka edhe një paketë tjetër për modifikimin e Mercedes G500 dhe motori i tij 4.0-litër V8 tani është me kapacitet prej 392 kW/525 kuajfuqi.