Çiftit bashkëshortor Kadri dhe Ariana Kaçorraj nga fshati Llukë e Epërme e Komunës së Deçanit i është realizuar ëndrra për ta pasur një shtëpi të veten, shkruan sot “Koha Ditore”.
Deri tashti kjo familje e varfër ka jetuar me kushte shumë të vështira në një kasolle druri e ngritur në truallin e saj. Ëndrrën e tyre e bënë realitet dy mërgimtarë në Austri, Beslim Tahirsylaj nga fshati Isniqi dhe Nezir Tolaj nga fshati Beleg të Deçanit, të cilët i kishin bashkuar mjetet për ndërtimin e kësaj shtëpie.
Çelësat e shtëpisë së re ia dorëzuan kësaj familjeje Arsim Tahirsylaj dhe Nezir Tolaj, në emër të vëllezërve të tyre. “E gëzofshi shtëpinë e re!”, iu drejtuan vëllezërit e dy donatorëve, çiftit bashkëshortor Kadri dhe Ariana Kaçorraj, derisa ia dorëzuan çelësat e shtëpisë së re.
Familja e emocionuar se më nuk do të jetojnë në kasollen e drurit kanë falënderuar familjet Tolaj dhe Tahirsylaj për mundësinë që tashti u është dhënë edhe për të krijuar familje, pasi ky çift është i martuar prej gjashtë vjetësh dhe sipas Kaçorrajt, i cili jeton nga puna e krahut, nuk kanë fëmijë m’u shkaku se nuk kanë pasur shtëpi.