Kuvendi i Kosovës sot ka hapur dyert për të pritur mërgimtarët që aktualisht janë me pushime në vendlindje, por interesimi për ta vizituar këtë institucion ishte i vogël, raporton Ekonomia Online.
Në numër të vogël ishin edhe deputetët e Kuvendit, përveç disave të pushtetit. E këta të fundit, shpjeguan për punën që bëjnë si ligjvënës.
Për herë të parë Kuvendin e Kosovës, e ka vizituar bashkatdhetari, Din Hoti, i cili jeton në Kanada.
Ai tregoi edhe për kohën kur ka migruar në Kanada.
“Kam shkuar në Kanada si refugjat në ’99-ën prej Shqipërisë deri atje. Është hera e parë që po vizitoj Kuvendin edhe sipas asaj që po shoh duket çdo gjë është në vijë. Sipas asaj Kuvendi i Kosovës ka qenë funksional dhe ka funksionu por ka batica, zbatica, ngritje, rënie, por këto janë normale edhe besoj që me kalimin e kohës gjërat vijnë edhe hala më mirë duke u stabilizuar”.
“Por mendimi im është që diasporën është shumë mirë më i ofru pak më afër se edhe kanë përvojë edhe në shtetet tjera, ku janë duke jetuar atje edhe kanë krye shkollë gjeneratat e reja, janë shkollu, se na gjenerata jonë kemi punuar punë krahu, por fëmijët tonë janë shkolluar, kanë përvoja, kanë kryer diçka, e kanë fituar një rend të jetës pak më ndryshe se këtu”, u shpreh Hoti, teksa kërkoi që mërgata të jetë e përfshirë në çështje politike.
“Mërgata duhet me u mbajt më afër edhe si çështje politike, se për ekonomike ajo po dihet por edhe si çështje politike është mirë me i mbajt më afër se janë pjesë e këtij vendi e nuk bënë me lënë të distancuar. Me thënë të drejtën nuk kam ndonjë gjë të veçantë për ndonjërin deputet, por mua ma merr mendja deri sa ata i ka zgjedhur sovrani, ata duhet me e dhënë maksimumin për sovranin, përndryshe ‘djegën’, kështu që duhet me punu edhe ata. Edhe për sovranin mirëpo edhe për vete, jo për interesa personale, inate e këso gjërash, kanë kalu ato kohëra”, tha Hoti.
Ndërsa Bedrije Oruglica-Ramoviq, tregoi edhe arsyen që e ka shtyrë të vijë në Kosovë.
“Arsyeja që jemi ardhë sot është me vizitu Kuvendin e Kosovës, është vajza ime 5 vjeçare e cila është shumë e interesuar për të ditur më shumë për vendin tonë, Kosovën. Jam një nënë që i flas shumë për Kosovën edhe është shumë e interesuar ‘Mami çka është ky vend, ku është kjo’”, tregoi ajo.
E për punën që bëjnë si ligjvënës, foli deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari. Ai tha se përkundër problemeve të shumta, Qeveria Kurti po bën përpjekje të mëdha për t’i zgjidhur problemet me të cilat po përballen mërgimtarët.
“Unë mendoj se është një ditë e veçantë kur hapen dyert për mërgimtarët, sepse ata vijnë në vendlindje, përpos që vizitojnë anëtarët e familjes, vijnë vizitojnë edhe institucionet. Qeveria bënë të gjitha përpjekjet, problemet janë të shumta dhe ato nuk mund të zgjidhen përnjëherësh por bëhen përpjekje të mëdha që të zgjidhen problemet e mërgimtarëve tanë”, tha Dehari.
Edhe deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, tha se Qeveria po bën mjaftueshëm përpjekje për mërgatën. Ai përmendi vendimin e djeshëm të heqjen e tarifës për rikthimin e shtetësisë.
“Duke filluar nga vendimi i ditës së djeshme për heqjen e mbi 370 eurove taksë për kthimin e shtetësisë edhe për shumë gjëra të tjera, bileta dhe gjëra të tilla të cilat kanë qenë po e zëmë edhe në kufirin ku futen për sigurime të automjeteve, që tashmë nuk ka nevojë të paguajnë aty dhe tu kthehen paratë por e marrin falas dhe për shumë gjëra tjera lehtësira të cilat i kanë në Kosovë, mendoj që kemi bërë mjaftueshëm”, shtoi Bajqinovci.