Qeveria e Kosovës ditë më parë ka marrë vendim për mbulimin e kartonit të gjelbër për të gjithë bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë, gjë që pritet t’i kushtoj vendit rreth 6 milionë euro.
Këtë vendim nuk e kanë pritur mirë të gjithë bashkëatdhetarët.
Mehdi Zullufi, mërgimtar nga Suedia ka thënë se vendimi për mbulimin e kartonit të gjelbër është shumë i ngutshëm.
I ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ai ka thënë se paratë e ndara për ta, do të ishte më mirë t’i ofroheshin punëtorëve shëndetësorë që po ikin jashtë vendit, e sektorit të arsimit.
“Unë kam paguar 20 euro në Merdare. Unë kam menduar që do t’i kontribuoj Kosovës që të mbushet buxheti. Ndarja e 6 milionë eurove që të na paguhet neve kartoni, është diçka e ngutshme. Kemi parë rastin me infermierët dhe stafin shëndetësorë që janë larguar gjatë pandemisë, është dashur që ato para t’i jepen në ndihmë atyre e arsimit. Ne nuk kemi nevojë për një lëmoshë 20 euro. Ne do të jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës”, ka thënë ai.
Zullufi është shprehur se kur paguan në kufi në shtetet tjera, me dëshirë do të paguaj 20 euro edhe për Kosovën.
“Prej Suedisë diku 100 euro më shkojnë rrugës. Kur i jap 100 euro rrugës, i jap 20 euro për Kosovën. Kjo është diçka e këndshme për mua. Nuk është dashur të vendoset kjo në këtë kohë e në këtë gjendje. Ne joshemi kur shohim Kosovën që po shkon përpara, por në Kosovë ka varfëri të madhe”, ka theksuar ai.