Varfëria në Kosovë sa vjen e shtohet. Aksioni humanitar i realizuar nga shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit, shpalos një pjesë të gjendjes së rëndë të shumë familjeve kosovare.
Ato ballafaqohem me skamje çdo ditë. E përveç kësaj shumë prej tyre vuajnë edhe nga sëmundje të ndryshme si pasoi e jetës së rëndë ekonomike.
Në këtë aksion u ndihmuan me gjëra ushqimore dhe higjienike 15 familje nga komuna e Pejës, Istogut dhe Malishevës, raporton Ekonomia Online.
Fillimisht djelmoshat e kësaj shoqate u ndaluan në familjen e Prene Berishës nga fshati Millovanc e Pejës, e cila luan edhe rolin e kryefamiljares ngase burri i saj nuk jeton më në këtë botë.
Ajo rrëfen se përveç skamjes së madhe, ballafaqohet edhe me sëmundjen e djalit të saj të madh, i cili nuk është në gjendje të punojë apo t’i ndihmojë asaj.
“Jetojmë në gjendje të mjerueshme. Unë së bashku me 5 anëtarë tjerë, siç po e shihni nuk kemi asgjë para shpirtit. Djalin e kam të sëmurë, por edhe kunatin. Burrin ma kanë vrarë dhe nuk dihet se kush. I falënderoj këta djelmosha që po na ndihmojnë, se përndryshe çdo ditë ballafaqohemi me mungesë të gjërave elementare”, shprehet ajo.
Më pas aksioni vazhdoi edhe në disa familje tjera të komunitetit romë, për të vazhduar në komunën e Malishevës dhe Istogut.
Në fytyrat e secilit prej tyre mund të vërehet vuajtja e vazhdueshme.
Drejtori i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati tregon se ky aksion i realizuar në tri komuna u mundësua nga një bashkatdhetar i cili jeton në Gjermani.
“Bashkatdhetarët tanë vazhdojnë të na përkrahin në çdo nismë tonën për ndihmë familjeve skamnore. Kësaj radhe është Dritoni nga Gjermania i cili ka dhuruar donacion për 15 këto familje që neve i kemi përzgjedh për t’ua zbutur sado pak gjendjen e rëndë në të cilën po jetojnë”, thotë Kastrati.
Ai falënderoi të gjithë ata që po mundësojnë përmes tyre të rikthejnë buzëqeshjen sado të shkurtë tek këto familje që vazhdojnë të “luftojnë çdo ditë me vdekjen”.