Mërgimtari Nezir Mehmetaj, i cili ishte arrestuar në Merdare në fillim të këtij viti do të vazhdoj të mbahet në paraburgim në Serbi edhe për së paku dy muaj. Ai akuzohet nga autoritetet serbe për krime lufte. Vendimi për të pritet që të merret në fillim të korrikut. Për gjendjen e Nezirit ka dhënë detaje vëllai i tij, Valoni.
Në orët e hershme të së premtes së 4 janarit të këtij viti, Nezir Mehmetaj bashkë me nënën e tij, Nazlien, kishin marrë rrugën drejt Nishit të Serbisë.
Arsyeja e kësaj vizite ishin disa analiza që duhej t’i kryente nëna e tij, meqenëse ishte e sëmurë.
Por, udhëtimi drejt këtij shteti nuk iu shkoi ashtu siç e kishin planifikuar.
Nezir Mehmetaj, i cili ka vite që jeton në Zvicër, u arrestua në pikëkalimin kufitar në Merdare me një urdhër arrest të lëshuar nga gjykata serbe, nën dyshimet për krime lufte.
Javën e ardhshme bëhen plotë pesë muaj nga dita kur është arrestuar Mehmetaj. E sipas familjarëve të tij, Neziri do të vazhdoj të mbahet në paraburgim edhe për dy muaj.
Vëllau i Nezirit, Valoni i ka thënë se sipas informative që kanë, gjendja e tij është e mirë.
Mehmetaj tregon se atij i është vazhduar paraburgimi deri në fillim të muajit korrik. Në fillim të këtij muaji pritet që të merret edhe vendimi për të.
“Fatkeqësisht akoma nuk kemi diçka të re. Sipas informatave dhe vizitës nga avokatët, gjendja e tij është e mirë. Ankesat nga mbrojtja i janë dedikuar shkallës së dytë Gjykatës së Apelit. Paraburgimi me vazhdimin plus 3 muaj i përfundon me fillim të muajit korrik, e fundit ku pritet vendim pro apo kundër Nezirit”, ka thënë Mehmetaj për Express.
Pas vazhdimit të masës së paraburgimit për të, kishte reaguar edhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Konjufca kishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian që ta marrin masa në mënyrë që Serbia të reflektojë.
“Autoritetet serbe ia kanë vazhduar paraburgimin kosovarit Nezir Mehmetaj i cili ishte arrestuar në Merdare derisa po kalonte kufirin në janarin e vitit 2020. Ministria e Jashtme e Kosovës thërret partnerët ndërkombëtarë, SHBA’në dhe BE’në që të kërkojnë nga Serbia ta ndalë këtë praktikë”, kishte shkruar Konjufca në Tëitter.
Gazeta Express ka dërguar pyetje sërish në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të marrë informacione rreth gjendjes dhe trajtimit që po i bëhet Nezirit në Serbi, si dhe masat që ka ndërmarrë deri tani kjo MPJD’ja për lirimin e tij, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Arrestimin e tij e kishin përcjellur me interesim të madh edhe nga Bashkimi Evropian. Një gjë të tillë e kishte konfirmuar zëdhënësi i BE’së, Peter Stano.
Stano kishte thënë se janë duke ndjekur nga afër rastin.
“Ne jemi duke monitoruar per së afërmi procesin gjyqësor”, ka thënë ai.
Tutje Stano ka thënë se institucionet e drejtësisë në Kosovës dhe Serbi duhet të bashkëpunojnë ndërmjet vete lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale për veprat të cilat pretendohen.
“Autoritetet gjyqësore në Serbi dhe Kosovë duhet të bashkëpunojnë ngushtë në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të pretenduara penale”, ka vazhduar tutje Stano.
Siç ka potencuar Stano, në bazë të parimeve të Dialogut për të cilat janë marrë vesh Kosova dhe Serbia, Nezir Mehmetaj, duhet të ndiqet nga gjykatat në Kosovë.
“Në linjë me parimet e dialogut, ndjekja e rasteve duhet të bëhet apriori përpara gjykatave në vendin e banimit, në Kosovë ose Serbi”, ka përfunduar Stano.
Ndryshe, pas këtij incidenti, MPJ’ja ka kërkuar që të shmanget sa më shumë qarkullimi përmes këtij vendi, meqenëse siç thonë Serbia nuk është territor që ofron siguri.
“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se Serbia nuk është më një territor, i cili ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik dhe as për familjarët e tyre. Për rrjedhojë, sugjerohet evitimi i përkohshëm i qarkullimit përmes këtij vendi”, thuhej në komunikatë.