Është mbajtur manifestimi kryesor për nder të 7 Marsit, ku me këtë rast edhe është ndarë çmimi “Shaban Jashari” për mësimdhënësin e dalluar, raporton Ekonomia Online.
Çmimi për mësimdhënësin e vitit i cili merr çmimin “Shaban Jashari” është ndarë për mësimdhënësen Merita Gashi nga Rahoveci.
Duke uruar për festën e 7 Marsit, ajo tha se dashuria me e mirë është ajo ndaj mësuesit.
“Ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar se sot marr çmimin
“Shaban Jashari”. Meritat dhe përulësit shkojnë për familjen Jashari. Respekt edhe për të gjithë dëshmorët qe dhanë jetën”, tha ajo Gashi.
E pranishme në këtë manifestim ishte edhe Ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, duke thënë çdo ditë përkulen para mësimdhënësve për punën e palodhshme dhe përkushtimin e tyre.
E para e Arsimit, shprehi mirënjohje për secilin, duke thënë që me gjenerata kanë kontribuar për ta mbajtur gjallë arsimin shqip.
“Nga dita e 7 marsit 1887, historia e arsimit përjetësoi emra e ngjarje të shumta të mësuesve që me çdo kusht do ta mbanin gjallë arsimin shqip, për t’iu dhënë brezave arsim në gjuhën amtare.
Por, “Mësuesi prek përjetësinë. Kurrë nuk mund të thuhet se ku përfundon ndikimi i tij“, ka thënë historiani dhe romancieri Henry Adams.”
“Për ndryshim nga mësuesit e vendeve të ndryshme në botë, mësuesi shqiptar përgjatë gjithë historisë paralelisht me arsimimin, kishte edhe një mision tjetër: t’i frymëzojë gjeneratat që të mos e pranojnë robërinë dhe nënshtrimin, por ta bëjnë luftën e tyre për liri e shtet.
Mësuesi ishte në krye të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare edhe për zhvillimin e gjuhës dhe kulturës, si dhe emancipimin e shoqërisë, duke u bërë kështu promotor i ndryshimeve”, tha Nagavci.
Mësimdhënësit për të cilët u ndan mirënjohje nëpër komuna me këtë rast ishin Xhavit Ramosaj nga Deçani, Servete Gashi-Drenas, Fadil Curri Hani i Elezit, Xhevat Krasniqi Fushë-Kosove, Dhurata Nixha-Gjakovë, Besim Kryeziu-Kamenicë, Burhan Beqiri-Klinë, e shumë të tjerë.
Ndërsa një mirënjohje u nda edhe për Jakup Muratin.

Fjalimi i plotë i Ministres Nagavci:
Të nderuar mësimdhënës, drejtorë komunalë të arsimit, drejtorë të shkollave, zyrtarë të MASHTI dhe ju të pranishëm,
Po shënojmë sot një ditë të veçantë, ditën kur ne nderojmë mësuesit tanë.
7 Marsi sjellë në vëmendjen tonë hapjen e Mësonjtores së parë shqipe në Korçë dhe mendjendriturit e kombit që e drejtuan atë, si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Thoma Avrami, e të tjerë.
Nga dita e 7 marsit 1887, historia e arsimit përjetësoi emra e ngjarje të shumta të mësuesve që me çdo kusht do ta mbanin gjallë arsimin shqip, për t’iu dhënë brezave arsim në gjuhën amtare.
Por, “Mësuesi prek përjetësinë. Kurrë nuk mund të thuhet se ku përfundon ndikimi i tij“, ka thënë historiani dhe romancieri Henry Adams.
Për ndryshim nga mësuesit e vendeve të ndryshme në botë, mësuesi shqiptar përgjatë gjithë historisë paralelisht me arsimimin, kishte edhe një mision tjetër: t’i frymëzojë gjeneratat që të mos e pranojnë robërinë dhe nënshtrimin, por ta bëjnë luftën e tyre për liri e shtet.
Mësuesi ishte në krye të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare edhe për zhvillimin e gjuhës dhe kulturës, si dhe emancipimin e shoqërisë, duke u bërë kështu promotor i ndryshimeve.
Prandaj, ne sot përkulemi para të gjithë mësimdhënësve për punën e palodhshme dhe përkushtimin për ta kaluar çdo sfidë, duke u qëndruar pranë nxënësve me gjithë qenien e tyre intelektuale, atdhetare e njerëzore.
Do të përkulemi përgjithmonë edhe para veprës së mësimdhënësve që dhanë jetën për liri, duke u shndërruar kështu në një frymëzim të përhershëm për ta dashur atdheun.
U jemi mirënjohës po ashtu të gjithë qytetarëve të Kosovës, që në momente të vështira për arsimin ofruan shtëpitë e tyre dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt lirisë, ata ia shtuan historisë sonë edhe një term që na bën krenarë: shtëpi-shkollë.
Të dashur mësimdhënës,
Sot kemi një mision tjetër, po kaq të rëndësishëm. Sot ne duhet të sigurohemi se e ardhmja e fëmijë tanë do të jetë e ndritur dhe se ata do të ecin të sigurtë përkrah bashkëmoshatarëve të tyre në botë. Sot, më shumë se kurrë e kemi mundësinë që lirinë t’ua bëjmë më të bukur duke i edukuar dhe duke iu ofruar arsim cilësor.
Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit tashmë është duke punuar në shumë drejtime për të avacuar pozitën e mësimdhënësit dhe për të ofruar kushte e politika arsimore që garantojnë mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore.
Megjithatë, ju jeni ata që i zbatoni këto politika dhe jeni në kontakt të përditshëm me fëmijët. Prandaj, roli juaj është kyç. Unë jam e sigurtë se do ta kryeni më së miri këtë mision fisnik dhe historisë sonë t’ia ofrojmë një tregim tjetër të bukur: atë të Kosovës që ecë sigurtë përkrah shteteve të zhvilluara.
