Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar ftesë nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit që do të mbahet në fund të këtij muaji në Berlin.
Këtë e ka konfirmuar edhe vetë zyra e presidentit Thaçi.
“Po, presidenti Thaçi ka marrë ftesë nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron për të marrë pjesë në samitin që mbahet në Berlin”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të presidentit Thaçi.
Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian kanë vendosur t’i takojnë udhëheqësit shtetërorë ballkanas të hënën e ardhshme, më 29 prill, në Berlin.
Shembulli i bashkëveprimit mes qeverive të Gjermanisë dhe Francës synon të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, posaçërisht sa i përket temave të mëdha politike, siç është dialogu Kosovë – Serbi.
Pas zgjidhjes së suksesshme të çështjes së emrit mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, fokusi i vendimmarrësve evropiane është zhvendosur në përgatitjet për etapën e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku bën pjesë edhe ky takim të hënën në Berlin.