Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, u bëri një lutje me emocion votuesve gjermanë të martën për të përkrahur një qeveri të udhëhequr nga politikani konservator, Armin Laschet, në zgjedhjet e këtij muaji, duke thënë se opsioni tjetër i tyre është një koalicion i së majtës.
“Qytetarët e kanë zgjedhjen brenda pak ditëve: ose një qeveri që e pranon përkrahjen e partisë Linke me SPD-në dhe Të Gjelbrit, ose që të paktën nuk e përjashton atë”, tha Merkel në Bundestag, duke iu referuar partisë së të majtës ekstreme, Linke, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
“…ose një qeveri federale të udhëhequr nga CDU-ja dhe CSU-ja me Armin Laschet-in kancelar – një qeveri federale që e udhëheq vendin tonë drejt së ardhmes me arsye”, shtoi ajo në atë që ka gjasë të jetë fjalimi i fundit në dhomën e ulët të kuvendit.
Ndryshe, Gjermania do të mbajë zgjedhje parlamentare më 26 shtator. Sipas anketave, partitë më të mëdha nuk kanë dallim të konsiderueshëm në përkrahje dhe partia e Merkelit mund ta humbasë pushtetin. Në mesin e pakënaqësive ndaj qeverisë kohëve të fundit përfshihen masat kufizuese kundër pandemisë.
Kancelarja Merkel ka thënë se ajo personalisht nuk do të kërkojë mandat të ri pas një kohe të gjatë në pushtet – rreth 16 vjet.