Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë në konferencë të përbashkët për media me presidentin, Hashim Thaçi, se Kosova ka perspektivë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Por, Merkel ka përmendur se Kosova duhet të fokusohet më shumë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, kancelarja gjermane tha se duhet të bëhet më shumë për uljen e papunësisë, për të cilën pohoi se është e madhe.
Merkel ka shtuar se çështje tejet e rëndësishme është edhe marrëdhënia e Kosovës me Serbinë. Sipas saj, edhe temat si Asociacioni dhe sqarimi i çështjes për rrugën e përbashkët energjetike janë esenciale.
Merkel më pas ka folur për marrëdhënien e përbashkët mes Kosovës e Gjermanisë. Ka deklaruar se kjo marrëdhënie është e shkëlqyeshme. Kancelarja nuk ka lënë pa përmendur se janë 350 mijë kosovarë që kanë nënshtetësi edhe gjermane.
Ajo ka premtuar se do të angazhohet që të rrisë numrin e njohjeve për Kosovën.