Merkel: Presidenca gjermane e BE-së do të jetë e fokusuar në luftën kundër virusit

Prishtinë | 25 Pri 2020 | 13:10 | Nga Ekonomia Online

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka thënë të shtunën se presidenca gjermane e Bashkimit Evropian, e cila fillon më 1 korrik, do të jetë e përqendruar në luftën kundër coronavirusit dhe ndikimit të tij social dhe ekonomik.

Përpos kësaj teme, shefja e qeverisë gjermane i përmendi edhe çështjet mjedisore në mesin e prioriteteve, shkruan agjencia “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

“(Presidenca) do të mbizotërohet qartazi nga çështja e luftimit të pandemisë dhe pasojave të saj”, tha kancelarja Merkel gjatë fjalimit të transmetuar me video, duke shtuar se përderisa nuk ekziston ndonjë vaksinë, virusi do ta mbizotërojë jetën në Evropë.

Ajo gjithashtu tha se Gjermania do ta promovojë idenë e një sistemi shëndetësor efektiv në Evropë për të gjitha vendet anëtare si dhe shkallë minimale të taksave e sistem të përbashkët për emetimin e gazrave të karbonit nga anijet dhe aeroplanët.

Kabineti gjerman do të mbajë një mbledhje të veçantë të mërkurën e ardhshme për të diskutuar për agjendën e presidencës gjermane të BE-së. Në këtë mbledhje do të marrë pjesë edhe Jeppe Tranholm-Mikkelsen, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme