Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë më 11 maj se vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’u larguar nga marrëveshja bërthamore me Iranin dëmton besimin në rregullin botëror.
Merkel ka thënë se marrëveshja e cila përcakton se Irani duhet të frenojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lirimit nga sanksionet është larg perfektes, mirëpo ka theksuar se nuk duhet të “shkëputet njëanshëm” pasi është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
Presidenti amerikan, Donald Trump, kritik i zëshëm i marrëveshjes së vitit 2015, ka njoftuar më 8 maj se Shtetet e Bashkuara largohen nga marrëveshja të cilën lideri amerikan e ka cilësuar “me të meta të tmerrshme”.
Marrëveshja ishte arritur pas gati 20 muajsh negociata në mes të Iranit në njërën anë dhe Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Kinës, Rusisë, Francës dhe Bashkimit Evropian në anën tjetër.
Berlini dhe Moska kanë njoftuar se Merkel ka biseduar përmes telefonit me presidentin rus, Vladimir Putin në përpjekje të ruajtjes së paktit.
Biseda e tyre ka ardhur një ditë pasi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov janë pajtuar se marrëveshja duhet të vazhdojë së zbatuari.
Në të njëjtën kohë, shefja e politikës në Bashkimin Evropian, Federica Mogherini pritet që më 15 maj të takohet me ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë për të diskutuar marrëveshjen në fjalë.
Përmes një deklarate më 11 maj, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se diskutimeve pritet t’iu bashkohet edhe ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.