Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, u ka bërë thirrje bashkëvendësve të saj që të mos ankohen për shpërndarje të ngadalshme të vaksinave kundër koronavirusit dhe e mbrojti vendimin për shtyrjen e afatit të masave kufizuese, duke thënë se një gjë e tillë është e nevojshme për ta parandaluar përhapjen e variantit të ri të virusit.
Duke folur në një konferencë për gazetarë, Merkeli tha se do të ishte gabim që të lehtësohen masat tani, duke marrë parasysh se mutacioni i identifikuar së pari në Angli është gjetur edhe në Gjermani, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
“Përpjekjet tona përballet me një kërcënim dhe ky kërcënim është më i qartë tani sesa në fillim të vitit dhe ky është mutacioni i virusit”, tha Merkeli, duke shtuar se varianti i ri ende nuk është mbizotërues në Gjermani.
Kancelarja e njohur e mbrojti vendimin për t’i siguruar vaksinat kundër Covid-19 përmes Komisionit Evropian, duke i kundërshtuar ata që kanë bërë thirrje që shteti t’i sigurojë vetë ato, duke pretenduar se në këtë mënyrë vendi do të mund të siguronte më shumë vaksina dhe më shpejt.
Gjermania u detyrua ta shtynte hapjen e disa qendrave të vaksinimit për shkak se mori më pak doza sesa pritej fillimisht për shkak të pakësimit të përkohshëm të prodhimit nga kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech”.
“E kuptoj mungesën e durimit”, tha Merkeli, kur u pyet nëse u ka borxh gjermanëve një kërkimfalje. “Sidoqoftë, nuk ka arsye për ta kritikuar BioNTech-un. Ata janë njerëz që punojnë ditë e natë dhe ne po përfitojmë nga kjo. Si mund të ankohemi, madje”, tha ajo.