Sot 20 vjet më parë, më 6 shkurt të vitit 1999, delegacioni nga Kosova për herë të parë mori pjesë në Konferencën e Rambujesë, takim ky i cili u mbajt në afërsi të Parisit me delegatët e shtetit serb dhe kosovar, i cili synonte t’i jepte fund luftës në Kosovë dhe gjetjen e një zgjidhje për paqe afatgjate.
Kjo mbledhje e delegatëve do quhej edhe “Kështjella e Mesjetës”.
Për fillimin dhe zhvillimin e punimeve të kësaj konference, në një intervistë për Eknomia Online, ka folur Adnan Merovci, ish-këshilltari i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.
Ai tha se për fillimin e punimeve të kësaj konference, delegacioni kosovar nuk kishte qenë i plotë, pasi aty me vonesë kishte mbërritur presidenti aktual Hashim Thaçi si dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, të cilët në atë kohë kishin qenë pjesë e ekipit negociator.
“Dekada para lufte dhe politika e udhëhequr edhe në fund, e përfunduar me një luftë të armatosur, duhej të dërgonte në një konferencë të tillë, si pretekst ishte masakra në Reçak dhe nga këtu grupi i kontaktit u takua në Londër dhe morri vendim që ti thërrasë të 3 delegacionet të Republikës Federale të Jugosllavisë, Serbisë dhe Shqiptarët e Kosovës në një mbledhje në Rambuje, siç e quajtën ata një “Kështjellë të Mesjetës”, ku do takohen këto tri delegacione për tu marrë vesh dhe për negociata.
“Konferenca e Rambujesë u hap pa Thaçin e Halitin, sepse ata ishin vonuar nga vendet e ndryshme, deri sa edhe kanë mbërri, konferenca solemnisht u hap sepse ishim vonë dhe e hapi presidenti i Francës, pastaj u mbajt një takim i vogël konsultativ i delegacionit tonë dhe të nesërmen në ora 09:00 me ndërmjetësit filloi mbledhja e parë e delegacionit të Kosovës, gjegjësisht fillimi i Konferencës së Rambujesë, u dorëzua një tekst i marrëveshjes që ishte uniacial”, tha ai, për Ekonomia Online.
Merovci tha se pritshmëritë për përfundimin e kësaj konference ishin se në fund do arrihej një marrëveshje e mundshme e cila do ftohte gjakrat mes Kosovës dhe Serbisë.
“Konferenca e Rambujesë në përgjithësi ishte një hapësirë ku u zhvilluan aktivitete dhe u zhvilluan veprime e fjalë edhe të mira edhe jo të mira edhe kundërthënëse edhe pajtuese, por si rezultat në fund doli shumë pozitive me një pranim të kësaj marrëveshje dhe thënie PO e madhe e Amerikës dhe NATO-s, përderisa Serbia e refuzoi këtë marrëveshje. Tek marrëveshja nuk kishte diçka qind për qind të panjohur për delegacionin e Kosovës. Nuk ishte diçka e ramë prej qiellit kjo marrëveshje. Pritshmëritë kanë qenë që definitivisht një marrëveshje duhet sepse marrëveshja parashihte dhe i kishte disa parime kryesore të cilat u diskutuan dhe heshturazi u tejkaluan për të vazhduar më tutje”, tha Merovci.
Ai shpjegoi se me kërkesën e delegacionit kosovar për një armëpushim me Serbinë ku edhe do legjitimohej UÇK-ja si ushtri, nuk u pajtua pala serbe, pasi që ata Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e shihnin si një forcë terroriste.
“Aty u zhvilluan disa gjëra dhe delegacioni jonë kërkoi që të nënshkruhet një armëpushim me Serbinë, kjo ishte shumë e mirë pasi me të legjitimohej edhe UÇK-ja si ushtri, dmth një armëpushim mes dy ushtrive. Serbia këtë nuk e pranonte pasi që Serbia UÇK-në e cilësonte si terroriste, kjo çështja e kërkesës për armëpushim ishte një thikë me dy teha sepse serbët filluan ta qesin si kusht nënshkrimin e parimeve kryesore të konferencës, ku në pikën pesë flitej mos prekja territoriale e ish-Jugosllavisë me Kosovën dhe kjo ishte kafshatë që s’kapërdihej nga delegacioni i Kosovës”, tha ai për Ekonomia Online.
“Filloi delegacioni mos ta ketë të qartë se si do jetë epilogu, megjithatë ishte një presion shumë i madh dhe nga krejt kjo delegacioni ynë nëse asgjë tjetër, ka arrit dy gjëra ti nxjerrë nga kjo konferencë. E para ka qenë që pas 3 vjetëve me një betim dhe garancë të sekretares të shtetit që ishte një letër personale e saj, që do organizohej një konferencë ndërkombëtare për Kosovën në bazë të vullnetit të popullit dhe të shprehur me Referendum. E dyta ka qenë sukses pasi që u arrit pika që UÇK-ja në tekst fillimisht ka figuru një shprehje shumë e vrazhdë, si të mos ekzistonte, aty doli teksti dhe u nxjerr fjalia të transformohet UÇK-ja”.
Sipas Merovcit meritën më të madhe gjatë kontributit të dhënë të kësaj kohe e kishte presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, por një pjesë e këtij kontributi nuk i mungonte as presidentit aktual, Hashim Thaçi.
“Ishin këto dy pikat që ishin rezultat i delegacionit tonë dhe mendoj se delegacioni ynë si asnjëherë në histori në mënyrën brilante ka kryer punën e vet sa i përket nxjerrjes së këtyre dy pikave dhe harmonisë në kuptimin profesional. Në krejt këtë delegacion ajo aura e prijësit ishte kontributi i presidentit Ibrahim Rugova, kurse kurorën ndonjëherë në lëvizje e ka pasë edhe Thaçi si një njeri i cili ishte kryesues i delegacionit të Kosovës”, tha ai.
Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt , ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Kristofer Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich përfaqësues i shteteve të BE-së.