Gjykimi ndaj ish-kreut të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukaj, dhe gjashtë të akuzuarve në rastin e KEK-ut, ka vazhduar dje me dëgjimin e tre dëshmitarëve.
Njëri prej tyre, Aziz Sallahu, i cili është polic hetues në Departamentin Antikorrupsion, ka rrëfyer para gjykatës rreth hetimeve që janë zhvilluar në vitin 2012 ndaj këtij rasti. Hetimet, sipas tij, kanë filluar pas ankesës së kompanisë “Besa Security”, e cila ka pretenduar se i është bërë e padrejtë në tenderin për sigurim fizik të objekteve të KEK-ut, tender ky që i është ndarë kushëririt të Lushtakut, Milazim Lushtaku, dhe kompanisë së tij “Security Code”.
Dëshmitari Sallahu ka thënë se gjatë hetimit të këtij rasti kanë vërejtur se kompania “Security Code” një pjesë të punëtorëve që i ka deklaruar në dosje veç kanë qenë duke punuar në Aeroportin e Prishtinës.