‘Merseyside është i kuq’ – Liverpooli e mposht Evertonin

Prishtinë | 21 Tet 2023 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Derbi i Merseyside ka përfunduar. Liverpooli si vendas ka shënuar fitore ndaj Evertonit 2:0, me dy golat e Mohamed Salah dhe tani të udhëhequrit e Jurgen Klopp, përkohësisht janë në vendin e parë në Premierligë.

Rezultati nuk ishte pasqyra reale e ndeshjes së zhvilluar në Anfield. Liverpooli dominoi tërësisht takimin, me shumë raste të krijuara gjatë 90 minutave, si dhe një posedim i frikshëm mbi 75% të kohës të mbajtur nga të kuqtë.

Për të përkeqësuar gjërat më shumë për mysafirët u kujdes Ashley Young, i cili me kartonin e tij të dytë të verdhë, u përjashtua nga loja në minutën e 37-të.

Mysafirët po mbaheshin mirë në mbrojtje edhe pse me një lojtar më pak.

Por një moment dhe iu kushtoi. Ishte një tentim harkim nga Luis Diaz i cili u ndal nga dora e Michael Keane i Evertonit. Fillimisht gjyqtari dhe VAR nuk akorduan penallti, por pas rifillimit të ndeshjes, dhoma VAR dha sinjal se kishte vërejtur prekjen, me gjyqtarin kryesor që shkoi në ekran dhe e konfirmoi penalltinë.

Nga penalltia i saktë ishte Mohamed Salah, që mposhti Jordan Pickford në minutën e 75-të për 1:0.

Salah deri në fund shënoi edhe një herë, duke çuar rezultatin përfundimtar 2:0. Liverpooli me këtë fitore, përkohësisht do të jetë lider në Premierligë, me pikë të barabarta me Arsenalin e Tottenhamin, me këto të fundit që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa Everton gjendet në pozitën e 16-të.

Të ngjashme