Mesha për Krishtlindje, Don Agim Qerkini: Është festë e një paqeje të trefishtë me Zotin dhe me të afërmin por edhe me vetveten

Prishtinë | 25 Dhj 2025 | 12:11 | Nga Gzim Mujaj

Me rastin e Ditës së Krishtlindjes, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë u mbajt meshë ku besimtarët u mblodhën për të shënuar festën më të rëndësishme për të krishterët, raporton Ekonomia Online.

Famullitari i Katedrales, Don Agim Qerkini, gjatë meshës theksoi rëndësinë e hapësirës për Zotin në jetën e përditshme dhe nevojën për reflektim mbi vlerat e jetës dhe marrëdhënieve njerëzore.

“Le ta lejojmë Zotin të na flet, le të mundohemi t’i japim hapësirë atij në jetën tonë, sa e zhurmshme kjo botë, sa e vështirë të gjejmë pak qetësi në jetë. Mbase edhe këtu në Kish shpesh me celular në dorë nuk arrijmë të shkëputemi nga kjo sferë e jetës tokësore që sikur ky tymi i kemit është të plotësohet lutja jonë drejt Zotit. Këto premtimet e tij ai i përmbushi, realizoi në ardhjen e Krishtit në botë me personin e tij, Zoti hyri në historinë e njerëzimit dhe vetëm në personin e tij e kemi njohur Zotin si i mirë, është i hapur dhe mëshirëplotë ndaj të gjithë atyre që pendohen me zemër dhe mundohen t’i përngjajnë atij sepse jo më kot Zoti e krijoi njeriun në përngjasimin e vet”, tha ai.

Ai theksoi po ashtu mesazhin e Krishtlindjes si festë e jetës dhe paqes.

“Festa e Krishtlindjes është festë e jetës dhe na fton Zoti që ta mbrojmë jetën, ta ruajmë, ta shërbejmë me kontekstin e plotë të fjalës, që të mund të realizohemi si bijtë e Zotit dhe sa shumë plagë ka sot mbarënjerëzimi i mbërthyer nga bota materiale, nga hedonizmi, jeta për të jetuar sipas ëndjes së vet dhe çka ndodh qojnë dorë shumë lehtë edhe në jetët e palindura”.

Ai po ashtu tha se kjo festë është e paqes.

“Është festë e paqes, e një paqeje të trefishtë me Zotin dhe me të afërmin por edhe me vetveten. Si mund të themi jemi në paqe me Zotin, nëse nuk jemi në paqe me njëri tjetrin e me njëri tjetrin nëse zemra nuk ka paqe. Na fton të gjithëve të reflektojmë mbi këto virtyte, në mënyrë që edhe atëherë nuk e kemi lehtë t’ia besojmë Zotit”, tha ai.

Krishtlindja pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët. Rëndësia e ditës së Krishtlindjes nisi të rritet pas kurorëzimit të Karlit të Madh në vitin 800, ditën e Krishtlindjes.

Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe Kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes.

Në historinë e krishterë, lindja e Krishtit sjell mrekullinë e mishërimit – Zoti e bën veten plotësisht njerëzor duke marrë pamjen e një fëmije të pafuqishëm, por diçka e mrekullueshme ndodh në të vërtetë në çdo lindje.

Po ashtu sot me rastin e kësaj feste do të mbahet mesha në Kishën e Shën Ndout në “Ulpianë” në ora 18:00.

Të ngjashme