Qeveria e Kosovës është duke e shkatërruar shtyllën e shtetit, arsimin, këto ishin fjalët e mësimdhënësve që sot kishin ardhur nga komunat e ndryshme të Kosovës për të protestuar në Prishtinë me rastin e 1 Majit – Ditës së Punëtorëve, raporton Ekonomia Online.
Ata janë shprehur se Qeveria e Kosovës i ka mbyllur dyert e saj për sindikata dhe nuk është duke diskutuar për kërkesat e tyre, që sipas tyre, kjo qasje e qeverise po e nxit largimin e punëtoreve nga vendi.
Mësimdhënësi i shkollës “Drenica” nga fshati Polac i Skenderajt, Musa Aliu, ka thënë se të drejtat e mësimdhënësve janë duke u mohuar dhe se kjo qeveri është duke shkallmuar çështjen e arsimit në vend.
“Kemi ardhur këtu të kërkojmë të drejtat e mësimdhënësit, që çdo herë e drejta e mësimdhënësit ju ka mohuar. Sidomos kjo qeveri është duke shkallmuar krejt çështjen e arsimit se arsimi është shtyllën e shtetit, po këtë shtyllë po e shkatërrojnë tash kjo qeveri. Është trupi i turpit”, ka thënë ai.
Aliu ka thënë se vetë sjellja e qeverisë karshi këtyre çështjeve po e inicion emigrimin e popullsisë.
“Vetë sjellja e tyre që po e bëjnë edhe shkallmimi i arsimit po e iniciojnë për emigrimin e popullsisë, sepse çdo edhe tekë të rinjtë që tash po e shohim biseda më e madhe sot është që në këtë vend nuk ka, kryejmë shkollë nuk kemi ku të punësohemi. E kryen Fakultetin, magjistraturën, punon si kamerier. Kjo është ku dëshiron më shkuar ma gjatë”, u shpreh ai.
Isuf Lajçi, kryetar i Sindikatës së Arsimit Parauniversitar në Pejë, ka thënë se kërkojnë që qeveria të dialogojë me ta dhe të ju përgjigjet kërkesave të tyre.
“Qëllimi i kësaj proteste është të ja bëjmë me dije edhe një herë qeverisë që të ulet të bisedojë, të kemi një dialog social, të mirëfillte dhe të sinqertë. Duke i plotësuar gjatë atij dialogu edhe kërkesat tona. Jemi për ata që kontrata kolektive e cila është e nënshkruar vite më parë të zbatohet në tersi pa pasur nevojë që të shkojmë nëpër Gjykata të i realizojmë të drejtat tona. Edhe deri në ditën e sotme këta nuk e mirëfilltën kontratën por ne të drejtat tona me tërë anëtarësinë i realizuam përmes gjykatave, e pastaj aty po ka humbje edhe Qeveria edhe komuna edhe krejt zingjiri i shoqërisë”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se mësimdhënësit janë duke u trajtuar sikur të mos ishin banorë të Kosovës, sipas tij, një qasje të tillë të qeverisë që të mos ulet që të bisedoj nuk ka ndodhur ndonjëherë.
“Trajtimi i qeverisë që po i behte mësimdhënësve po fillojnë që nga muajit shtator që kanë filluar pengesat me shpërndarje të librave e deri në ditën e sotme sikur se ne mos të ishim banorë të Kosovës. Kemi pasur telashe edhe para luftës, me qeveritë pushtuese në atë kohë, kemi pasur probleme edhe pas lufte por këso gjërash që mos të ulet qeveri të bisedoj me njerëz të lapsit, me njerëz të cilët i kanë edukuar këta për të ardhur në atë pozitë unë as që po mundem ta paramendoj që ekzistoj në botë kjo”, ka thënë ai.
Lajçi ka thënë se ndër akterët kryesor që po shkakton largimin e punëtoreve nga vendi është mos dialogun real i qeverisë me punëtoret.
“Njëri ndër akterët kryesor që po shkakton që punëtoret ta lëshojnë vendin e punës, duke filluar nga SBASH, e duke shkuar edhe të punëtoret tjerë të sektorëve të tjera është mos dialogu real i qeverisë ndaj punëtoreve ndaj atyre të cilët ja kanë dhënë votën. Le të thitë sa don që ne i kemi krijuar kushtet, nuk ka kushte për ne”, ka thënë ai.