Mësimdhënësit kosovarë në grevë, por i kanë pagat më të larta në rajon

Prishtinë | 22 Jan 2019 | 22:31 | Nga Ekonomia Online

Ka një javë që shkollat publike në Kosovë nuk punojnë. Kjo ka ardhur pasi mësimdhënësit kërkojnë rritjen e rrogave, pavarësisht se rroga e tyre është më e madhe sesa e kolegëve të tyre në Maqedoni dhe Shqipëri.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se për mësimdhënësit e shkollave të mesme paga është rritur nga 523 në 597.8 euro, që i bie 74 euro rritje nga paga aktuale. Për arsimin fillor nga 479 në 525.8 euro, rritja është 46 euro. Për mësimdhënësit në arsimin parashkollor nga 447 në 501.9 euro, rritja 54 euro. E numri i mësimdhënësve është rreth pesë mijë për arsimin e mesëm.

Për krahasim, në Maqedoni një mësues merr mesatarisht pagë neto (me eksperincë pune) 400 euro në muaj ose 4800 euro në vit. Paga minimale e arsimtarëve të Malit të Zi në muaj është rreth 500 euro ose 6000 euro në vit, kurse në Serbi pagat janë më të larta duke filluar nga ajo e arsimtarëve në shkolla fillore 6734 euro në vit ose 560 euro në muaj. Në fund, në Shqipëri pagat e mësuesve janë rreth 420 euro në muaj, pas rritjes që dakortësoi qeveria shqiptare ose në vit i bie rreth 5040 euro, shkruan foldrejt.com.

Lind pyetja se pse mësimdhënësit e Maqedonisë dhe Shqipërisë nuk kryejnë grevë? A janë të kënaqur me këto rroga demotivuese, përkundër që kostoja e jetës është më e shtrenjtë se në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme