Kosova është renditur e 49’ta në matematikë, si dhe e 52-ta në shkencë, nga gjithsej 58 shtete pjesëmarrëse, në testin ndërkombëtar TIMSS.
Nxënësit e shkollave të Kosovës kanë shfaqur rezultate të dobëta në fushën e matematikës dhe shkencës, fusha këto në të cilat mat aftësitë testi ndërkombëtar TIMSS.
Sipas raportit të Ministrisë së Arsimit, Kosova ka marrë pjesë për herë të parë në këtë test.
Detaje shtesë lidhur me këtë çështje ka dhënë edhe Instituti ‘EdGuard’, e cila ka treguar dhe krahasuar të dhënat e dala nga ky test.
“Sipas të gjeturave, në matematikë nga gjithsej 1000 pikë, nxënësit e Kosovës kanë marrë 444 pikë në matematikë, 56 pikë më pak se mesatarja ndërkombëtare dhe 181 pikë më pak se vendi i parë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Në raportin e MASHT’it, prindërit kosovar thuhet se renditën në vendin e pestë në botë për perceptimin pozitiv ndaj shkollës.
Mësimdhënësit kosovar, njoftohet tutje në raport, janë më të kënaqurit në botë me profesionin e tyre. 94 % e tyre janë shprehur shumë të kënaqur me profesionin e mësimdhënësit.
Në vlerësimin ndërkombëtar PISA, Kosova në matematikë kishte arritur 366 pikë, teksa në vlerësimin TIMSS ka marrë 444 pikë. Ndërkaq, në shkencë, te PISA, Kosova kishte 365 pikë, teksa në TIMSS ka 413 pikë.