Mësimdhënësit me sëmundje kronike nuk po zëvendësohen siç është premtuar. Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po fajësojnë Drejtoritë Komunale të Arsimit për këtë çështje. Ndërsa mësimdhënësit që kanë sëmundje kronike po vlerësojnë se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt.
Mësimdhënësja, Xhevahire Krasniqi është diagnostikuar dy herë me kancerin e gjirit.
Krasniqi po vazhdon të jep mësim në shkollën fillore “Meto Bajraktari”, ani pse Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte paraparë që mësimdhënësit me sëmundje kronike dhe të tjera, të zëvendësohen për të mos u rrezikuar edhe nga COVID-19.
“Deri kur do të vjen në rend sistemi që kur arsimtarët të sëmuren ata të jenë të lirë dhe të mos kenë stresin se nxënësit po mbesin mbrapa”, deklaroi mësimdhënësja Xhevahire Krasniqi.
Nga Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po fajësojnë disa nga Drejtoritë e Komunave të Arsimit, që sipas tyre, nuk po e përfillin marrëveshjen.
“Disa DKA nuk janë duke realizuar marrëveshjen që e kanë bërë SBASHK-u, MSH dhe Qeveria. E kam fjalën për mësimdhënësit e sëmurë rëndë. Ata kanë mbetur pezull ngase qëndrimi i MASH-it është i qartë. Këta mësimdhënës këtë vit shkollor duhet të pushojnë”, deklaroi Rrahman Jasharaj.
Ndërsa drejtoresha e Arsimit në Komunën e Kosovës tha se nuk kanë bazë ligjore t’i zëvendësojnë mësimdhënësit.
“Ne kemi marrë diagnozat e mësimdhënësve që kanë sëmundje kronike, mirëpo nuk kemi pasur bazë ligjore që të angazhojmë mësimdhënës të ri. MASH ka miratuar një mijë norma në nivel të Kosovës, që do të thotë se mësimdhënësit që mbajnë 20 orë të veta mund të mbajnë edhe një gjysmë normë tjetër”, deklaroi Shpresa Shala.
RTV Dukagjini ka provuar të kontaktojë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për këtë çështje, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.