Ibrahim Rugova besonte te e mira – ishte i palëkundur në këtë besim – nuk e ndiqte dhunën me dhunë, as dhëmb për dhëmb, por me opsionin e mirësisë. Ai ishte njeri i artit e kulturës, kishte formim kulturor e artistik dhe në fillimet e rrugëtimit politik e përmend Edmond Burken që thoshte se gjëja e vetme që nevojitet për të triumfuar e keqja është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë, mendim ky përshkon në thellësi gjithë qytetërimin perëndimor, me të cilin ai e lidhte historinë dhe kulturën e popullit të tij.
Ky ishte besim sublim dhe një qasje e pazakontë në Ballkanin e trazuar; ishte mendësi krejt origjinale dhe mahniti botën e përparuar.
E duke shkruar rreth figurës së Rugovës, shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare te parathënie a librit i Rugovës “Çështja e Kosovës” shkruan: “Mjafton të lexosh këtë rrëfim të gjatë të Rugovës, për të kuptuar mirë personazhin e vetë si dhe idetë dhe platformën e tij e të shqiptarëve. Por ajo që kapet edhe më qartë prej këtij libri është se sa larg dhe sa lart qëndron ky lider shqiptar në krahasim me gjithë liderët e tjerë që e kanë kthyer sot Ballkanin në log të tërbimit e të zisë.”
Prandaj, sot Kosova e dërmuar dhe e ligështuar ka nevojë për mësimet politike e kulturore të Rugovës, siç ka nevojë njeriu për ajër e ujë të pastër, sepse vepra e tij është një burim i pashterur kulturor e politik, ku mund të shuajmë etjen, ku mund të freskohemi e ushqehemi dhe njëkoësisht të frymëzohemi për vepra të mira dhe dobiprurëse.
Kosova sot është tejet e ligështuar dhe e dërmuar, sepse e ka bjerrë rrugën e Rugovës, rrugë kjo që na solli liri, dinjitet ndërkombëtar dhe shtet.
Kosova sot është pa autoritete morale e politike dhe me disa demagogë të rrezikshëm me mendësi ekstremiste që i vërtiten si profetë të rremë, prandaj njerëzit e saj duhet të kthehen prapa- jo shumë larg – te mësimet e Rugovës që janë të freskëta dhe të frymëzohen nga figura shembullore e tij për t’i tejkaluar sfidat e mëdha që kanë përpara.
Rruga e Rugovës është rrugë e paqes dhe dinjitetit.
Ai e ka shkruar ungjillin politik të shqiptarëve – testamentin e dashurisë politike, për njeriun shqiptar, historinë, kulturën dhe identitetin e tij.
Këtë testament bashkëkombësit e tij duhet ta kenë shujtë të përditshme në tryezën e tyre: të frymëzohen prej tij dhe të besojnë në të, në mënyrë që të fisnikërohen, t’i mposhtin paudhësitë, prapështitë dhe dokrrat që e karakterizojnë kohën pas tij.
Rugova është krijuesi dhe ndërtuesi i shtetit të Kosovës. Politikani më ditur dhe më normal që ka dalë nga raca shqiptare. Njeriu që i përtëriu dhe i kultivoi si askush aleancat organike me perëndimin dhe që vendosi Kosovën në hartën politike të botës.
Rugova qe politikan i njerëzishëm, aspak megaloman, siç janë soji i tij ndër shqiptarë.
Ai e donte njeriun dhe kujdesej që atë ta mëkonte me ndjenja dashurie, respekti, njerëzie dhe solidariteti. Ai nuk e urrente askë. Sepse ai ishte i vërtetë dhe i njerëzishëm.
Ai nuk fliste përçartë dhe me urrejtje për kundërshtarin, por kujdesej dhe e fisnikëroi gjuhën politike me ndjenja të njerëzishme për njeriun, autoktonen dhe vlerat e fisme universale, kah ecte i palëkundur dhe kah e orientonte popullin e vet i pa tunduar.
Rugova e deshi autoktonen, por e vlerësoi edhe universalen, ato vlerat e fisme të qytetërimit të lirisë dhe të dashurisë perëndimore, për të cilat punoi i palëkundur dhe me tërë qenien.
Ai ishte i ndikuar prej Bogdanit dhe autorët oskdentalë dhe nuk tundohej, nuk lëkundej dhe as nuk joshej prej ideve negative.
Në saje të kësaj filozofie, ai e bëri krejt botën e përparuar që ta përqafonte kauzën tonë dhe të ishte me ne. Dhe kështu, sakrifica dhe lufta jonë u shpërblye me lirinë dhe pavarësinë që kemi.
Rugova punoi me pasion për oksidentalizimin e shoqërisë sonë, proces ky që është shëmtuar pas shkuarjes së tij në amshim. Ai këtë e kishte ideal dhe mision. Prandaj, nuk zgjohej si europian, që pastaj ditën ta kalonte si oriental dhe të binte në shtrat si kozmopolit. Ai ishte i vërtetë: Një oksidental shqiptar i thekur në mendime dhe veprime, që gjunjëzohej para Gjergj Kastriotit dhe e kishte udhëheqës shpirtëror Bogdanin dhe kjo e bëri atë të madh dhe të papërsëritshëm.
Prandaj, mallëngjehem sa herë e kujtoj hapin e matur të tij dhe shoh hapat e çorientuar të shumë politikanëve të sotëm zuzarë.
Mallëngjehem sa herë i dëgjoj fjalimet e intervistat e tij ose i lexoj veprat e idetë e tij të fisme kulturore politike, dhe pastaj trishtohem kur shoh marrëzitë, dokrrat dhe kukurisjet e politikës shqiptare, të çorientuar dhe pa kurrfarë ide e ideali.
Prandaj mësimet e Rugovës sot e përgjithmonë na duhen për shumë arsye dhe ato duhet të shërbejnë si dekalog se si bëhet shteti e si bashkohen njerëzit rreth të mirave të përbashkëta dhe qëllimeve sublime.
-Së pari, për t’i pastruar mendjet e ndotura që kukurisjet i thashethemet i quajnë politikë dhe intrigat e mashtrimet i kanë ngritë në nivelin e vlerave më të larta. Kjo është rruga për të forcuar shpirtin e tolerancës dhe për të krijuar një ambient të pastër e demokratik e koheziv.
-Së treti, vepra e tij e pasur na ndihmon që t’i mposhtim mendjet me tru trumcaku që i janë vërsulë pamëshirshëm jetës politike e kultutore duke e zvogëluar politikën e kulturën deri në një rrafsh banal.
Rugova përgjatë krejt rrugëtimin kulturor dhe politik ishte i vërtetë, aspak i stisur e mendje fiju – fiju. Ai jetoi për një ideal, u mishërua me të dhe si Moisiu biblik, e nxori popullin e vet nga robëria e letargjia, por në breg të paqes vdiq pa e shkelë Tokën e Premtuar, pa e përjetuar Pavarësinë e Kosovës, së cilës ia kushtoi tërë jetën dhe në themelet e së cilës është guri themeltar.