Ka tri javë që ka filluar të mbahet mësimi në distancë me vendim të Ministrisë së Arsimit Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit (MAShTI), me qëllim parandalimit të përhapjes së Coronavirusitit.
Zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj në një intervistë për Ekonomia Online, tha se mësimi në distancë ka tejkaluar pritshmërinë e tyre dhe po del të jetë shumë i suksesshëm.
“Mësimi në distancë ka filluar thuajse që 3 javë, informacionet e para që i kemi prej komunave prej agjencive tona tregojnë për një përfshirje të konsiderueshme, mbi 90% të fëmijëve dhe të mësimdhënësve në këto aktivitete”.
“Reagimi përgjigjja e institucioneve dhe punëtorëve arsimorë ka qenë përtej pritshmërie tona, edhe si aspekt sasiore dhe cilësore. Edhe orët që i kemi përgatitur online që po jepen në RTK dhe në platformën tonë në YouTube dhe E-platformën që do të hapet tash kanë arritur në një nivel më të lartë se që e kemi menduar”.
Rexhaj shprehet se tashmë kanë filluar mësimin edhe në gjuhën turke dhe boshnjake kurse në gjuhën serbe nuk kanë hasur në gatishmërinë e drejtorive të këtyre komunave.
“Ne jemi të obliguar të organizojmë mësimin e detyruar 1 deri 9 për të gjitha komunitetet në Kosovë në të gjitha gjuhët mësimore, ka filluar implementimi i mësimit në gjuhën turke dhe boshnjake ku incizimet organizohen në Prizren, mirëpo edhe për shkollat e mesme është kërkuar të fillojë ato që punojnë me korikulat e tona”.
“Sa i përket shkollave që mësojnë në gjuhën serbe, ne u jemi drejtuar drejtorëve të arsimit në këto komuna që të na dërgojnë emrat e mësuesve të cilët do të përfshiheshin në mësimin në distancë, deri tash kemi pasur disa reagime, por nuk janë reagime substanciale. Ministria është shumë e gatshme t’i përfshijë të gjitha shkollat në Kosovë në këtë proces”.
Rexhaj sa i përket vlerësimit kanë krijuar një grup të ekspertëve për këtë çështje dhe brenda ditëve do tu dërgohet mësimdhënësve se si t’i vlerësojnë nxënësit.
“Në rend të parë është ruajtja e njerëzve në këtë funksion është edhe mbyllja e shkollave që njerëzit të ruhen të mos shpërndahet virusi. Qëllimet e mësimit në distancë janë të realizohet sa të jetë e mundur korrikula shtetërore, që të strukturohet koha e fëmijëve në familje dhe që të ruhet popullata”.
“Në këtë qëllime nuk është element substancial vlerësimi, mirëpo ne do ta trajtojmë, sot ministria e ka themeluar një grup të ekspertëve të cilët brenda 3 ditëve do ta finalizojnë udhëzuesin për vlerësim i cili do të përdoret nga mësimdhënësit. Mund të them qysh tash se vlerësimi nuk do të jetë i tillë që të i stërngarkojë as fëmijët as prindërit e as mësimdhënësit”.
“Funksioni i parë i mësimit në distancë është që jo fëmijët të mësojnë sa më shumë e jo t’i ngarkojmë tash me teste sepse nuk është koha t’i ngarkojmë as fëmijët as prindërit me ndonjë rezultat me ndonjë test”.
Kurse sa i përket asaj se kur do të filloje mësimi ai thotë se nuk e dinë ngase varet nga situata, raporton EO.
“Nuk dihet ne jemi duke bërë çmos që të ecë mësimi në distancë, kur të vijë me hy në shkolla ne jemi të gatshëm edhe nëse kjo vazhdon për dy tre muaj ne i kemi planet e tona se si do të reagojmë”.