Duke filluar nga muaji janar, aeroporti ndërkombëtar i Washingtonit Dulles, i cili mirëpret çdo vit më shumë se 22 milionë udhëtarë, do të ofroj dhoma apo ndryshe “Sleepbox Nap Lounge”, të cilat do të shërbejnë si hapësira fjetjeje për udhëtarët që kanë diferencë të madhe kohore mes fluturimeve dhe në vend që të presin në karriget e aeroportit për orë të tëra, tashmë mund të rehatohen në një prej këtyre podeve.
Çdo pod është i pajisur me bllokues zhurme, i cili i siguron pasagjerët të pushojnë të qetë, kanë WiFi, ndriçim, si dhe dyshek mjaft të rehatshëm. Fillimisht aeroporti do të ofrojë për udhëtarët 16 dhoma, por ekziston mundësia që më vonë ato të dyfishohen.
Këto dhoma të posaçme mund të rezervohen për kohëzgjatje të ndryshme dhe çmimi i tyre varion në bazë të orëve. Për dhomat teke, një orë kushton 25 dollarë deri 120 dollarë për 12 orë, kurse dhomat çift për një orë kushton 35 dollarë, deri 150 dollarë për 12 orë.
Themeluesit e “Sleepbox” besojnë se salla e pritjes është një vend i qetë dhe i rehatshëm për të fjetur, pushuar ose punuar gjatë kohës së pritjes, një lloj “oazi” për t’u qetësuar, punuar apo fituar energji të reja.
Përveç projektit për vendosjen e “Sleepbox” në aeroportin e Dallasit, firma po punon gjithashtu në aeroporte të tjerë ndërkombëtarë. Mendohet se vitin e ardhshëm do të jetë aeroporti i Bostonit ai që do të krijojë hapësira të nevojshme për çlodhje. /ATSH