Lionel Messi do të mungojë në një tjetër ndeshje për Paris Saint-Germain pasi shërimi i tij nga Covid-19 ka shkuar më ngadalë sesa që është pritur.
Ylli argjentinas nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës ndaj Brest në Parkun e Princave, njoftoi sot trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino.
34-vjeçari mungoi në barazimin 1:1 ndaj Lyonit të dielën e kaluar kur Ligue 1 u rikthye nga pushimi dimëror.
Messi ishte infektuar me koronavirus gjatë qëndrimit të tij ne Argjentinë, shkruan Gazeta Express.
Messi deklaroi në rrjetet sociale të enjten se i ka marrë më shumë kohë sesa pritej për t’u përmirësuar por ai është pothuajse gati me mezi po pret rikthimin në fushë.
Pochettino tha se Messi mbetet nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të ekipit. Klubi tha të premten se Messi “do t’i bashkohet gradualisht skuadrës javën e ardhshme”.