Ylli argjentinas Lionel Messi ka mbetur i zhgënjyer që drejtuesit e Barcelonës nuk arritën ta transferojnë sulmuesin brazilian Neymar gjatë afatit kalimtar të verës, kanë raportuar të enjten mediumet e huaja.
Barcelona pati disa tentime për të bindur PSG-n, që ta liroj Neymarin, por nuk pati sukses përkundër faktit që braziliani kishte kërkuar largimin.
“Do të kisha dashur që Neymar të kthehet. Sinqerisht, nuk jam i sigurt që Barcelona ka bërë të pamundurën për ta transferuar, por e di që është vështirë të negociohet me PSG-n. Jam i zhgënjyer që Neymar nuk erdhi”, ka thënë Messi.
Neymar në vitin 2017 iu bashkua PSG-s nga Barcelona për 222 milionë euro dëmshpërblim. 27-vjeçari, ka kontratë me ekipin francez deri në vitin 2022.