Messi ka telashe në Ligue 1

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Lionel Messi, që iu bashkua me bujë të madhe Paris Saint-Germanit, por ende nuk ka shënuar gol në Ligue 1, raporton CNN.

Kjo e bën Messin ta përsërisë rekordin e sezonit 2005/06, kur ai ende ishte fillestar te Barcelona. Messi nuk arriti të shënonte gol në ndeshjen e fundit të PSG-së, derbin kundër Marseillet që u mbyll pa gola të dielën e shkuar.

Kjo do të thotë se Messi nuk ka realizuar gol në katër ndeshje kampionale, sa i ka luajtur deri më tani për ekipin nga kryeqyteti francez. Në fakt, ky është starti më i dobët i Messit gjatë karrierës së tij 16-vjeçare. Herën e fundit që Messi dështoi në ligën vendase të realizojë gol në fillim ishte në sezonin 2005/2006, kur iu deshën atij gjashtë ndeshje për të shënuar golin e tij të parë.

Në atë kohë Messi sapo kishte pasur një sezon të plotë me statusin e lojtarit të rëndësishëm te Barcelona. Në sezonin paraprak Messi kishte bërë debutimin e tij, por nuk ishte përfshirë në skuadrën kryesore të Barcelonës. E sipas mediumeve franceze, fajin kryesor për këtë e ka trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, i cili ende nuk ka arritur ta gjejë pozitën e duhur për Messin. Ky i fundit te PSG-ja kryesisht po luan në krahun e djathtë dhe nuk po mund të jetë produktiv siç ishte te Barcelona, me gjithë që është pjesë e një sulmi të frikshëm që përbëhet edhe nga Kylian Mbappe e Neymar.

“Kemi një ekip me lojtarë shumë të talentuar dhe po punojmë vazhdimisht që të përmirësohemi. Nuk jam aspak i shqetësuar me situatën e Messit”, ka thënë Pochettino.

Megjithatë, për dallim prej Ligue 1, Messi është mjaft produktiv në Ligën e Kampionëve. Në tri ndeshje të zhvilluara në këtë garë Messi ka shënuar po aq gola. Kështu që, edhe pse Messi ende nuk ka shënuar gol në kampionat, PSG-ja pa telashe të mëdha po marshon drejt titullit të kampionit. Prin në tabelë me 28 pikë të mbledhura pas 11 ndeshjeve të zhvilluara, shtatë më shumë se përcjellësi më i afërt, Lensi. Edhe ish-sulmuesi i Francës, Thierry Henry, që ka qenë bashkëlojtar i Messit te Barcelona, ka fajësuar trajnerin Pochettino për formën e argjentinasit në kampionat. Në të vërtetë, Henry ka insistuar se Messi është i izoluar te PSG-ja dhe ky është problemi kryesor që ai ende nuk ka shënuar në Ligue 1.

“Messi është i izoluar te Barcelona dhe nuk po e prek topin shumë. Unë nuk po them se ai nuk është i lumtur në ekipin e ri, por thjesht nuk po e prek topin. Ai duhet të luajë në mes pasi nuk mund ta bëjë dallimin nga krahu i majtë. Nëse luan në mes, ai mund t’i japë ritëm lojës së Parisit dhe kjo është mënyra më e mirë që Messi mund të përshtatet në sulm me Neymarin dhe Mbappen”, ka thënë Henry.

Messi bëri bujë të madhe kur gjatë afatit kalimtar të verës u transferua te PSG-ja si lojtar i lirë pasi Barcelona për shkak të problemeve financiare nuk arriti ta përballonte rinovimin e kontratës me sulmuesin 34-vjeçar. Ai ka kontratë me ekipin francez deri në verën e vitit 2023, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Madje Messi ditë më parë ka thënë se aspak nuk është pishman me kalimin e tij te PSG-ja dhe nuk e shqetëson mungesa e golave.

Të ngjashme