Messi nuk ndalet, goli i 100-të i sjell edhe një trofe Inter Miamit

Prishtinë | 17 Sht 2026 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Inter Miami mposhti të mërkurën mbrëma në shtëpi Cruz Azul me rezultat 2-0 dhe fitoi trofeun Campeones Cup, ndërsa Lionel Messi shënoi një tjetër moment historik, duke realizuar golin e tij të 100-të me klubin amerikan.

Sulmuesi argjentinas e kaloi Inter Miamin në epërsi në minutën e 24-të, kur me kokë përfundoi aksionin pas një krosimi të Luis Suarezit.

Ky ishte goli jubilar i Messit në 115 paraqitje për Inter Miamin në të gjitha garat.

Jubileu kishte një simbolikë të veçantë, pasi Messi e kishte shënuar edhe golin e tij të parë për klubin amerikan pikërisht ndaj Cruz Azulit.

Në debutimin e tij për Inter Miamin, në korrik të vitit 2023, argjentinasi i siguroi skuadrës fitoren 2-1 ndaj këtij kundërshtari, duke realizuar nga goditja e lirë në minutat shtesë.

Rezultatin përfundimtar 2-0 e vendosi Casemiro në minutën e 81-të, gjithashtu me kokë, pas një korneri të ekzekutuar nga Messi.

Mesfushori brazilian po kalon gjithashtu një periudhë mjaft produktive, pasi në pesë ndeshjet e fundit ka shënuar katër gola – të gjithë me kokë.

Me këtë triumf, Inter Miami fitoi një tjetër trofe në periudhën pas transferimit të Messit në klub. Më herët, skuadra nga Florida kishte triumfuar në Kupën e Ligës 2023, Supporters’ Shield 2024 dhe MLS Cup 2025.

Inter Miami tani rikthehet te angazhimet në MLS, ku të dielën do të presë San Diegon në stadiumin “Nu Stadium”.

Skuadra e Messit e nis këtë takim nga pozita e dytë në Konferencën Lindore. /Telegrafi/

Të ngjashme