Messi pasi u shpall golashënuesi më i mirë në La Liga: S’është çmim i rëndësishëm

Prishtinë | 20 Kor 2020 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Lionel Messi këmbëngul se çmimi për golashënuesin më të mirë në ligë, të cilin e fitoi për herë të shtatë rekorde, nuk ka rëndësi pasi Barcelona dështoi ta fitojë titullin në La Liga.

Superylli argjentinas Messi u shpall golashënuesi më i mirë në La Liga për herë të shtatë rekorde, pasi e mbylli sezonin 2019/20 në krye të listës së golashënuesve më të mirë në ligë.

Sezonin e kaluar, 33-vjeçari e barazoi rekordin e të madhit Telmo Zarra me gjashtë trofe “Pichichi”, por këtë sezon e fitoi për herë të shtatë dhe tani është mbajtës i vetëm i këtij rekordi.

Dy golat e tij në fitoren e thellë të Barçës 5:0 kundër Alavesit në ndeshjen e fundit në La Liga të dielën, e çojnë në 25 totalin e golave që Messi i ka shënuar në 33 ndeshje këtë sezon.

Por golat e tij nuk mjaftuan për ta udhëhequr Barcelonën drejt titullit të tretë radhazi në ligë, sepse Real Madridi e tejkaloi atë në renditje me 10 fitore në 11 ndeshjet e fundit duke u shpallur kampion në fund.

“Gjithmonë them se çmimet dhe golat individuale janë dytësore”, tha Messi pas ndeshjes i pyetur për çmimin e golashënuesit më të mirë.

“Është e vërtetë se do ta merrja si çmim të rëndësishëm ‘Pichichin’ e shtatë, por do të doja të vinte i shoqëruar me titullin në ligë”, shtoi ai. 

Të ngjashme