Mësuesi dhe prindërit, perceptime të ndryshme për fëmijën e njëjtë

Prishtinë | 14 Qer 2018 | 18:51 | Nga

Shumë studime të realizuara midis fëmijëve të moshës së hershme, parashkollorë dhe ata të shkollës fillore, është vërejtur se prindërit e tyre kanë gabuar jo rrallë herë rreth perceptimit mbi fëmijët e tyre. Ndodh që ata të jenë gabuar në një përqindje shumë të madhe. Por ka mjaft arsye përse prindërit krijojnë keq-perceptim mbi fëmijën e tyre. Prindërit përgjithësisht shikojnë te fëmija më të mirën e mundshme, ngjashmëritë pozitive midis tyre dhe shëmbëlltyrës që i ka sjellë në jetë dhe kështu plotësojnë misionin e sindromës që mua me pëlqen ta quaj “trashëgimtari brilant.”

Kur prindërit përballen me edukatoret apo mësuesit, fillojnë të flasin të parët mbi fëmijën e tyre dhe aftësitë që i karakterizojnë: “e ke vënë re ti që kjo goca ime ka talent për balet? Moj, gjithë ditën duke kërcyer… pale si i lëviz ato këmbët, krahët, si zog…interesante jo?!”, një tjetër nënë, i thotë edukatores: “ky djali im gjithë ditën me vegla në dorë. Do të bëhet inxhinier i zoti!”, dhe kështu me radhë. Te kjo e fundit, prindi jo vetëm kërkon të nxjerrë në pah aftësitë e fëmijës, por ai menjëherë projekton tek fëmija inxhinierin e ardhshëm, ndoshta si i ati ose si vet ajo. Pra, prindi do tashmë të ketë një përgjigje të ardhmërisë së fëmijës dhe në mënyrë të pandërgjegjshme i krijon mundësi vetvetes për të shuar ankthet e së ardhmes dhe për të krijuar një atmosferë pozitive iluzionesh se fëmija e tij do t’ia dalë mban mjaft mirë.

Nga një anë, kjo është e rëndësishme për marrëdhënien prind-fëmijë. Prindi do të duhet të ketë pritshmëri pozitive për fëmijën, do të duhet ta rrisë fëmijën me pozitivetet për veten dhe botën. Por nga ana tjetër, prindi do të duhet të kujdeset që të jetë sa më realist me fëmijën, që fëmija të mund të krijojë më pas pritshmëri reale për veten dhe jetën. Ne, fundja, e shikojmë botën dhe jetën nëpërmjet perspektivës që njohim më mirë, atë të vetes sonë. Pra, ka një burim se nga vijnë këto perceptime, por thirrja që i bëhet prindërve në këtë artikull është ndërgjegjësimi mbi këtë prirje që të mund të kujdesen në kohë pa dëmtuar të ardhmen e fëmijës.

Pyetja që lind është, po si mund të dëmtohet fëmija me këto keq-perceptime?

Keq-perceptimet e prindërve mbi fëmijën sjellin një konflikt shumë të madh emocional, afektiv dhe psikologjik të marrëdhënies prind-fëmijë, por edhe të vet fëmijës si individ më vete:

Së pari, konfliktet me të tjerët. Shpesh, arsyeja e së vërtetës gjendet në sytë dhe perceptimin e të tjerëve. Atë që ne e shikojmë si “gjeniale” tek fëmijët, bota, të tjerët na tregojnë të kundërtën. Kur isha farë e vogël, në shtëpinë tonë vinin fëmijë të ndryshëm që prindërit e tyre mendonin se kishin aftësi për muzikë. Mami im muzikante, i afronte për t’i parë më nga afër dhe kuptonte që jo të gjithë prej tyre i kishin këto aftësi. Sigurisht, ajo i tregonte mundësitë që ekzistojnë për fëmijët që nuk kanë shumë talent, por që lehtësisht mund të mësojnë një instrument muzike duke plotësuar kështu dëshirën e tyre. Prindërit përfundonin në të shumtën e rasteve të ishin të pakënaqur. Ata me siguri prisnin që profesionisti t’i komunikonte se fëmija e tyre ishte brilant. Ndoshta ai ishte, por jo në këtë fushë gjithsesi. Kjo sillte shpesh herë konflikt midis prindit dhe profesionistit. Kështu ndodhi dhe me vlerësimin që mësuesja i bëri djalit tetë vjeçar. U kthye në një konflikt sepse nëna mendonte se ai nuk e meritonte, por mësuesja me siguri që kishte patur arsyet e saj për ta vlerësuar në atë mënyrë. Por prindi thjesht e ka të vështirë ta besojë.

Sy dyti, të menduarit iluzionist. Fëmijët në të ardhmen rrezikojnë të krijojnë edhe ata keq-perceptime mbi veten. Aftësitë e tyre i keq menaxhojnë ose i keqpërdorin. Ne kemi tashmë tendencën për unitetit për veten tonë. Përgjithësisht njeriu duke patur shumë më të ngushtë dhe të afërt perceptimin për veten, mendon se ai është unik dhe ndryshe nga masa, por në fakt, brenda unitetit të tyre, ka shumë aftësi të përbashkëta që na ndajnë për të cilat do të duhet të jemi “me këmbë në tokë” për të arritur bashkëpunimin me botën që e bën më të plotë procesin e përmirësimit të njeriut.

Së treti, vështirësi emocionale. Fëmijët të cilët marrin mesazhin vazhdimisht se sa të zotët dhe të aftë janë, se ata janë unik dhe ndryshe nga të tjetër, që mbivlerësohen në sy të të tjerëve dhe sidomos të mësueseve që kanë një rol shumë domethënës në edukimin e fëmijës dhe si figurë autoriteti, përfundojnë të zhgënjyer nga vetja e tyre kur rriten. Duke mos patur kujdes në formimin e egos së fëmijës, për t’i treguar atij objektivisht vlerën e gjërave, e aftësive, e arritjeve, e përpjekjeve, etj., ne i kemi dhënë një pamje shumë iluzionistë të tij. Fëmija do të zhgënjehet dhe do të krijojë komplekse superioriteti të cilat janë jo reale dhe në fakt lidhen ngushtë komplekset e superioritetit. Pra, fëmijët rrezikojnë që ta bëjnë ata punën e prindërve në të ardhmen, t’i tregojnë botës se sa vlejnë me pasiguritë e tyre për vlerën që kanë. Kështu rrezikojnë të përfshihen nga ndjenja e ankthit për veten dhe jetën.

Së katërti, të jesh një Piter Pan. Shumë djem dhe vajza, nuk duan të rriten me rritjen e përgjegjësive. Sa mirë është kur prindërit kanë siguruar gjithçka për ne. Vlerësimi i tyre për fëmijët ka qenë kaq i madh dhe janë kujdesur që ta shikojnë veten me sytë e prindërve dhe jo me sytë e vet fëmijëve. Edhe zgjidhjen e shumë problemeve fëmijët e kanë përfituar prej prindërve dhe nuk i është dhënë mundësia që të përballen me vështirësitë.

Së pesti, keq orientimi profesional. Fëmijët, duke marrë një këndvështrim të prindërve mbi vlerat e tyre, që ndodh të jenë keq-perceptime në disa raste, mund të rrezikojnë të orientohen gabimisht në zgjedhjen e profesionit. Sa herë kemi hasur individ që bëjnë një profesion që nuk e duan. Sa herë kemi hasur individ që duan një gjë kaq shumë, por thjesht nuk është më koha e duhur për ta ndjekur.

Në këtë artikull, nuk kam për synim të merrem me prindërit, si një faktor socializues që sjell dështimin ose jo të fëmijës. Qëllimi im është të bëni një ndarje mes dëshirës dhe ambicies, për të parë prindër të ndërgjegjshëm mbi fëmijët e tyre dhe botën që e rrethon. Ata mund të jenë shumë të përgjegjshëm, ndoshta edhe më shumë se ç`duhet.

E di që ka nga ata prindër që do e rrokin me kënaqësi këtë artikull dhe do të reflektojnë mbi mënyrën se si veprojnë me fëmijët e tyre, sepse e di që prindërit janë të vëmendshëm. Ndaj dhe nuk dëshiroj që prindërit të ndjehen jetim në aftësitë e tyre si prindër, përkundrazi. Ata nuk janë vetëm në këtë rrugëtim të gjatë. E di që ata do të kujdesen që fëmija e tyre të marrë mesazhet e duhura në raport me jetën e tyre dhe botën që i rrethon. (Denata Toçe/ Portali Shkollor)

Të ngjashme