Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u promovuan dy libra të autorit Ragip Ballatës, “Arsimi shqip në Gjakovë e rrethinë” dhe “Mësuesit e Gjakovës misionarë e pishtarë të Kosovës”, për punën dhe kontributin e mësimdhënësve ndër vite, raporton Ekonomia Online.
Këta dy libra u promovuan edhe në Gjakovë ditë më parë.
Autori i librave Ragip Ballata, tha se puna e mësuesve misionarë u bë bazë e fortë e arsimit fillor e atij të mesëm.
“Jam i nderuar që kemi mësues të brezit të tretë e familjarë të tyre prezentë sot këtu. Gurthemeli i mësimit të organizuar shqip u themelua në Luftën e Dytë Botërore e nisur nga Ernest Koliqi, që u bë bazë e fortë e arsimit fillor e atij të mesëm. Unë jam produkt i atyre mësuesve të atij brezi. Këta mësues na bënë këmbë e dorë, barten në krah tulla e gurë për të ndërtuar shkolla e rrugë, punuan në presion të regjimit për të hap shtigje të rrugëve tona”, tha ai.
Po ashtu ai ka njoftuar se për të realizuar librat e tij ku ka përfshirë 210 mësues ka komunikuar me së paku 8 persona për secilin mësues.
“Uroj për ngritjen e cilësisë në arsimit tanë e përulëm para mësuesve tanë. Në libër kam përfshi 210 emra për jetën e të cilëve kam komunikuar së paku me nga tetë persona” shtoi ai.
Sipas Ballatës merita e kësaj pune u takon misionarëve të asaj kohe.
“Merita u takon mësuesve misionarë nga të cilët u inspiruam dhe u mblodhëm këtu” përfundoi ai.
Ndërsa, Shefqet Canhasi, recensist, tha se shpreson që puna e Ballatës të sistemohet e të shpërndahet.
“Këto dy vepra përfaqësojnë një pjesë të përpjekjeve të Ragip Ballatës dhe mbetet që pjesa e kësaj pune të sistemohet dhe të shihet drita e dijës”.
“Në brezin e tretë janë njerëz që mund të kontribuojnë ende. E meta jonë është se kemi pasur ngjarje shumë të rëndësishme dhe nuk i kemi hedh në letër”.
Sipas tij ky brez mësuesish ishin njerëz të thjeshtë e modest.
“Falë punës së të cilëve dhe botimit të librave kemi 1 milionë e 800 mijë libra në gjuhën shqipe të cilat botoheshin në një shtet që pengonte edukimin atdhetar tonin”, u shpreh ai.