Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se Adem Demaçi është modeli më i mirë për shqiptarët se si duhet të sakrifikohet.
Më ceremoninë komemorative, ku po marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë të disa vendeve të rajonit, Meta theksoi se Demaçi nuk u dorëzua asnjëherë në jetën e tij.
“Në jetën e tij ai asnjëherë nuk u dorëzua e nuk u step. I dashur baca Adem, jeta jote ishte luftë dhe ti këtë luftë e fitove, jeta jote ishte sakrificë, por ti ia dole t’i kalosh ato me urtësi e qetësi”.
“Ti je njeriu, prindi, shoku e miku përherë pranë. Sot fjalët janë të mangta për ty, sot dhimbja e rëndë është sa një mal. Prehu në paqe heroi ynë”, tha Meta, raporton Ekonomia Online.