Kreu i Kuvendit ende në detyrë Ilir Meta, në një deklaratë për mediat bëri me dije se sonte në darkë do të heqë dorë nga drejtimi i LSI për t’iu përkushtuar detyrës si President. Postin e Metës si kryetar i LSI do ta mbajë Petrit Vasili.
Ai shtoi se duke filluar nga nesër do të kërkojë takim me kreun demokrat Lulzim Basha për të zgjidhur krizën.
“Jam këtu për tu dhënë përgjigje disa pyetjeve që më bëtë dje, por isha i papërgatitur. Pas konsultimeve me këshilltarët, dua të bëj të ditur se do të vijoj të jem kryetar i Kuvendit të Shqipërisë deri në ditën e betimit si president i vendit.
Edhe pse mund të jem kryetar i LSI deri më 24 korrik, kam vendosur që sot në mbrëmje, pas përfundimit të listave të kandidatëve për president, të heq dorë nga ky funksion dhe të gjithë funksionet drejtuese në LSI”, deklaroi Meta.
Gjithashtu ai ka falënderuar të gjithë ata që e votuan dhe që e uruan për postin e ri. Meta ka falënderuar edhe opozitën.
“Dëshiroj të falënderoj të gjithë deputetët që morën pjesë në votim dhe për këtë besim që investuan te unë. Dua të falënderoj opozitën për bashkëpunimin që kemi pasur gjatë gjithë kësaj periudhe në krye të Kuvendit të Shqipërisë dhe ta mirëkuptoj për mungesën e pjesëmarrjes dhe ta siguroj që kjo nuk do të ndikojë te unë në të ardhmen. Dua të falënderoj presidentin Nishani për mesazhin e menjëhershëm”, u shpreh ai.