Presidenti i Republikës, Ilir Meta i dorëzoi sot Flamurin Kombëtar delegacionit sportiv shqiptar që do përfaqësojë vendin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018”, të cilat do të zhvillohen në Korenë e Jugut nga data 9 deri më 25 shkurt.
Presidenti i Republikës, pasi i dorëzoi Flamurin Kombëtar skiatores Suela Mëhilli, u shpreh: “Dua të shpreh kënaqësinë time që i dorëzova Flamurin Kombëtar delegacionit që do të na përfaqësojë në Lojërat Olimpike Dimërore dhe u uroj shumë suksese”
“Mendoj se ne kemi nevojë për të ridimensionuar vetveten edhe në sport, edhe në turizëm, duke pasur në konsideratë se kemi mjaft male dhe dimri, në një pjesë të madhe të vendit, është mjaft interesant. Na duhet të promovojmë akoma më shumë sportet e tilla, sportet dimërore, sepse përveç të tjerave, janë edhe mjaft të shëndetshme për të rinjtë”, tha Meta.
Ndërsa sportisja Suela Mëhilli, theksoi se kjo për mua do të jetë Olimpiada e dytë. “Jam shumë krenare të përfaqësoj Shqipërinë para botës kështu që do të jetë një eksperiencë e veçantë. Faleminderit për këtë mundësi”, shprehet Mëhilli!
Në fund, Presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani tha se “Për ne marrja e Flamurit nga ana juaj është një nder i madh dhe privilegj. Këto Lojëra Olimpike janë me të vërtetë të rëndësishme për ne pasi janë një promovim i sportit shqiptar për të paraqitur sa më mirë ekipin tonë ne i kemi marrë të gjitha masat.”