Meta falënderon FSK-në dhe Policinë e Kosovës: Jemi shumë mirënjohës, por edhe krenar me ju

Prishtinë | 27 Nën 2019 | 19:28 | Nga Ekonomia Online

Presidentët e Kosovës dhe Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Ilir Meta, janë duke vizituar së bashku vendet që janë prekur nga tërmeti vdekjeprurës në Shqipëri.

Ata aktualisht janë duke qëndruar në lagjen 18 të Durrësit, aty ku pak minuta është nxjerrë edhe një trup i pajetë.

Nga këtu, presidenti shqiptar ka falënderuar pjesëtarët e FSK-së dhe Policisë së Kosovës që janë nisur menjëherë për të ndihmuar Shqipërinë.

“Do të doja që të falënderoj shumë Forcat e Kosovës për gatishmërinë e menjëhershme që kanë treguar, por edhe për profesionalizmin dhe efikasitetin në të gjitha aksionet kudo që kanë marrë pjesë në të gjitha këto vatra të nxehta. Jemi shumë mirënjohës, por edhe krenar me ju”.

“E falënderojmë edhe njëherë presidentin e Kosovës, institucionet dhe popullin e Kosovës për këtë mbështetje të menjëhershme. Njëkohësisht, falënderojmë edhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë solidaritet që e kanë shprehur”.

“Paradite kemi falënderuar edhe forcat rumune që kanë bërë gjithçka këtu. Në këtë situatë kaq dramatike, kjo ndihmë ka qenë mjaft e rëndësishme dhe do të mbetet e paharruar për ne”.

I pari i shtetit shqiptar ka thënë se pa asnjë diskutim shqiptarët janë bërë një në këtë situatë shumë të rëndë, derisa ka falënderuar edhe mediat e Kosovës.

“Do të doja të falënderoja edhe të gjitha mediat e Kosovës, përveç institucioneve të Kosovës që i kam falënderuar në mënyrë të përsëritur gjatë këtyre dy ditëve të kësaj krize të jashtëzakonshme. Mediat e Kosovës kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të pasqyruar zhvillimet në Shqipëri, por edhe për të sensibilizuar që qytetarët e Kosovës ta mbështesin vendin tonë për ta përballuar këtë krizë”.

“Por, gjithashtu edhe për të mobilizuar për ndihmat humanitare që kanë qenë dhe janë mjaft të çmuara, përveç punës mjaft efikase dhe të specializuar nga FSK-ja”.

Të ngjashme