Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Strugë, ku u prit nga Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, këshilltarët e komunës, përfaqësues të bashkësive fetare, përfaqësues të forcave të ndryshme politike dhe qindra banorë të qytetit.
Gjatë takimit të përzemërt që pati në ambientet e Komunës së Strugës, Meta bashkëbisedoi me Kryetarin e Komunës dhe këshilltarët rreth rolit të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe për momentin e rëndësishëm që po kalojnë të dyja vendet në aspektin e integrimit evropian, perspektivën e shkëlqyer të Strugës, për të qenë një qendër rajonale e zhvilluar turistike, kulturore dhe ekonomike, etj.
“Struga është një qytet jashtëzakonisht i veçantë për të gjithë shqiptarët kudo ku janë. Është një nga qytetet tona më të bukura. Është e gjitha një trevë me tradita të jashtëzakonshme patriotike me një rol të fortë në historinë e mbarë kombit, me figura të shquara për pavarësinë e Shqipërisë dhe në vazhdimësi.
Vijmë në një moment të mirë, Shqipëria dhe Maqedonia sapo kanë marrë një rekomandim pozitiv nga KE për çeljen e negociatave dhe duhet të forcojmë të gjitha përpjekjet në javët që vijnë për të marrë dhe një vendim pozitiv nga këshilli i vendeve anëtare dhe në qershor”, – tha Meta, duke u ndalur edhe zhvillimet në Maqedoni dhe pozitat e shqiptarëve.
“Besojmë që në Maqedoni është bërë një progres i rëndësishëm sidomos gjatë viti të fundit dhe këtë besoj e tregon edhe pozita e shqiptarëve. Për herë të parë kemi një kryetar të parlamentit që është zgjedhur nga forcat politike shqiptare. Po kështu kemi një vendosmëri të një shumice për të filluar sa më shpejt zbatimin e ligjit për gjuhën, që do t’i japë një zgjidhje të munguar deri tani, e që nuk është një privilegj që i bëhet popullit shqiptar, por një detyrim, është një domosdoshmëri.