Meta nxjerr paralele me Serbinë e Millosheviqit: Opozita atje mori vendimin e drejtë

Prishtinë | 08 Gus 2019 | 10:18 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta nuk heq dorë nga ideja e zgjedhjeve të 13 tetorit, duke thënë se kjo është e vetmja zgjidhje.

Sipas Metës, vetëm në këtë rrugë opozita mund të ndihmojë vendin, demokracinë dhe veten. Presidenti ka bërë një paralelizëm për opozitën, duke përmendur rastin e Serbisë.

“Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje. Vetëm duke qëndruar në anën e ligjshmërisë dhe pjesëmarrjes në institucione, opozita mund të ndihmojë vendin, demokracinë, drejtësinë, por edhe vetveten. Nëse opozita në Serbi do të priste që Millosheviqi të dënonte Millosheviqin, apo të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme, padyshim që edhe sot e kësaj dite ai mund të ishte në pushtet po të mos i pushonte zemra”, ka thënë Meta, në një postim të tij në Facebook.

“Por opozita mori vendimin më të drejtë duke u bashkuar, duke u përballur me të dhe duke e mundur. Më pas i vuri prangat dhe e përcolli për në gjykatën e Hagës. Ndaj zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për demokraci dhe drejtësi. Çdo gjë tjetër është justifikim, alibi dhe bashkëfajësi”, ka thënë Meta më tej.

Të ngjashme