Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me anëtarët e Kryesisë, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Rexhep Selimi dhe Xhelal Sveçla, të mërkurën priti në takim delegacionin nga Republika e Shqipërisë të prirë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta të shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë,Qemal Minxhozi, këshilltarët, Ilir Kulla dhe Flamur Gashi, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Presidenti Ilir Meta duke njoftuar mbi gjendjen dhe dëmet në Republikën e Shqipërisë pas serisë së tërmeteve që e goditën vendin falënderoi për solidaritetin e popullit të Kosovës dhe organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ishte e mobilizuar për disa ditë radhazi në mbledhjen e ndihmave të cilat u nisën drejt zonave të prekura.
Udhëheqësi i shtabit të emergjencës në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla e njoftoi nga afër Presidentin Meta në lidhje me mobilizimin e Lëvizjes dhe qendrave të saj gjithandej nëpër Kosovë për të nisur ndihmat për qytetarët e prekur nga tërmetet në Shqipëri.
Sveçla njoftoi se përmes tre konvojeve janë dërguar në zonat e goditura afro 400 tonë ndihma përfshirë ushqim, veshmbathje e gjëra të nevojshme për strehim.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti njoftoi Presidentin Meta për ecurinë e bisedimeve që po zhvillohen me LDK-në drejt krijimit të koalicionit të ardhshëm qeverisës si dhe prioritetet dhe detyrat që presin qeverinë në ardhje.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë theksoi nevojën e krijimit të qeverisë dhe institucioneve të reja sa më shpejtë.