Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar për tërmetin në Turqi, ku thekson se në këto momente tepër të vështira, populli shqiptar është në krah të Turqisë mike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Meta, në reagimin e tij në rrjete sociale shprehet se me shqetësim dhe dhimbje të thellë po ndjek situatën në Turqinë mike, të goditur nga tërmeti tragjik.
“Shumë i tronditur nga viktimat në njerëz, ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve e të dashurve të tyre, të gjithë popullit turk dhe Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, duke u lutur që të mos ketë të tjera humbje jetësh. Të gjithë të lënduarve nga kjo fatkeqësi natyrore ju uroj shërim sa më të shpejtë”, shkruan Meta.
Presidenti i Shqipërisë më tej shprehet se “Në këto momente tepër të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi në krah të Turqisë mike”.
Pas tërmetit në Turqi, zyrtarët e lartë të Shqipërisë kanë shprehur solidaritetin tyre me shtetin dhe popullin turk.
Sipas të dhënave paraprake nga Agjencia turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) nga tërmeti me magnitudë 6,8 ballë me epiqendër rajonin Sicrice në Elazığ kanë humbur jetën 21 persona dhe janë plagosur 1030 të tjerë.