Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në takim Jens Stoltenberg, ku theksoi se ndan plotësisht vizionin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, se është detyra dhe përgjegjësia e çdo aleati të forcojmë Organizatën duke investuar çdo përpjekje dhe kontribut në shërbim të mbrojtjes kolektive dhe njëkohësisht të çdo vendi anëtar.
Kreu i Shtetit theksoi se ndan plotësisht vizionin e Sekretarit Stoltenberg se është detyra dhe përgjegjësia e çdo aleati të forcojmë Organizatën duke investuar çdo përpjekje dhe kontribut në shërbim të mbrojtjes kolektive dhe njëkohësisht të çdo vendi anëtar.
Në këtë kuadër, Presidenti do të vazhdojë të mbështesë dhe inkurajojë rritjen e buxhetit për mbrojtjen në 2% brenda 2024, jo vetëm si detyrim por edhe si përgjegjësi për ndarjen e barrës.
Presidenti Meta çmoi investimin e NATO-s në Bazën Ajrore të Kuçovës si një aset për sigurinë e vendit, rajonit dhe Aleancës.
Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria e pret me entuziazëm anëtarësimin e afërt të Maqedonisë së Veriut në NATO.
Ky ishte vendimi i duhur në kohën e duhur, që shpërbleu zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe falë angazhimit konstruktiv të drejtuesve më të lartë të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, si dhe falë bashkëpunimit të pazëvendësueshëm mes SHBA-ve dhe BE-së.
Presidenti Meta vuri në dukje rolin e jashtëzakonshëm dhe jetik në mbështetje të këtij objektivi strategjik nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Kreu i Shtetit theksoi se zgjerimi dhe prania e NATO-s në rajonin tonë janë kyç për konsolidimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.
“Prania e NATO-s në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe BE, kontribuon për një mjedis më të sigurtë në terren, dhe është njëkohësisht thelbësore për tërësinë territoriale të Kosovës dhe stabilitetin në rajon”, – u shpreh Presidenti Meta.
Më tej Kreu i Shtetit u shpreh se Shqipëria mbështet të drejtën legjitime dhe sovrane të Kosovës për një tranzicion gradual të FSK në ushtri multietnike, dhe në ndërveprim të plotë me NATO-n.
“Integrimi europian dhe euro-atlantik përbëjnë të vetmen garanci të besueshme për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe begatisë në rajon, bazuar mbi vlerat e përbashkëta, dhe përparimi në këto organizata ia vlen çdo sakrificë dhe punë të palodhur”, – theksoi Presidenti Meta. /Top Channel/