Në vijim të vizitës zyrtare në Egjipt, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, zoti Ahmed Aboul Gheit.
Presidenti Meta shprehu vlerësimin për bashkëpunimin shumë të mirë të Shqipërisë me vendet anëtare të Ligës Arabe.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta e përgëzoi zotin Gheit për zhvillimin me sukses të Samitit të parë mes Ligës Arabe dhe Bashkimit Europian, duke hapur një kapitull të ri për bashkëpunimin në të ardhmen.
“Si vend kandidat për në Bashkimin Europian dhe si vend mik me vendet e Ligës Arabe, Shqipëria është shumë e interesuar që ky bashkëpunim të forcohet gjithnjë e më shumë”, – u shpreh Presidenti Meta.
Gjithashtu, Presidenti Meta e njohu zotin Gheit me zhvillimet më të fundit pozitive në rajonin e Ballkanit, si dhe orientimin e vendeve të tij drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe tek sfidat me të cilat përballen rajoni i vendeve të Ligës Arabe dhe ai i Ballkanit Perëndimor.