Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në OKB, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të votojnë pro marrëveshjes me Greqinë në referendumin që do të mbahet këtë të diel.
Ndërkohë Meta përshëndeti dhe politikën e NATO-s e cila i ka dyert e hapura për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Deklarata e Ilir Metës:
Ne konsiderojmë se Marrëveshja midis Greqisë dhe Maqedonisë, e arritur kohët e fundit, ka mundësinë të shndërrohet në një arritje historike.
U kemi bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Maqedoni, duke përfshirë edhe udhëheqësit vendorë shqiptarë, që të angazhohen në mënyrë aktive për të siguruar e arritur suksesin e referendumit të 30-të shtatorit, duke përkrahur votimin pro kësaj Marrëveshjeje.
Politika e dyerve të hapura të NATO-s e shtrirë drejt Ballkanit Perëndimor mbetet e rëndësishme dhe jetike për të ankoruar rajonin nën çadrën e vet të sigurisë si dhe për autorësinë e përgjegjshme vendore.
Në këtë kontekst, unë i mirëpres fuqimisht mesazhet e fundit që partnerët tanë strategjikë i dërguan qytetarëve maqedonas.
Këto mesazhe i bëjnë jehonë vendosmërisë së tyre në mbështetje të investimeve të mëdha të bëra për krijimin e stabilitetit dhe sigurisë në dy dekadat e fundit në Ballkan.
Angazhimi i kombinuar i NATO-s dhe Bashkimit Europian përbën garantuesin më të mirë për të gjitha vendet dhe qytetarët e rajonit tonë.