Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, thotë se votimi në Kuvendin e Maqedonisë pro nismës për ndryshimet kushtetuese është një hap i rëndësishëm, shprese e besimi se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE është në rrugën e duhur.
“E përgëzoj qeverinë e Kryeministrit Zaev për përpjekjet e vendosura në këtë drejtim dhe të gjithë ligjvënësit e Kuvendit të Maqedonisë për mbështetjen e një procesi që jo vetëm çliron Maqedoninë nga një ngërç integrimi disa vjeçar, por ndikon edhe në sigurinë, stabilitetin e mirëqenien e rajonit tonë,” ka shkruar Meta në Facebook.
Me 80 vota pro Kuvendi në Maqedoni miratoi nismën për ndryshimet kushtetuese. Në fillim të seancës deputetë e VMRO-së kërkuan që të votohet në mënyrë individuale.
Edhe pas votimit individual u konstatua se 80 deputetë kanë votuar pro ndryshimeve kushtetuese.
Me këtë qeveria e Maqedonisë fitoi 15 ditë për të përgatitur amendamentet dhe për t’i kthyer sërish në procedurë parlamentare.
Maqedonia dhe Greqia marrëveshjen e kanë arritur në qershor, dhe me të synohet t’i jepet t’i fund kontestit 27-vjeçar, që kur Maqedonia ka shpallur pavarësinë.