Metodat efikase për trajtimin e lëkurës së djegur nga dielli

Prishtinë | 25 Qer 2021 | 10:36 | Nga Ekonomia Online

Çdo person ka pësuar të paktën një herë në jetë djegie të lehta të lëkurës të shkaktuara nga ekspozimi i pakujdesshëm në diell.

Pas çdo djegieje të tillë pasojnë zbokthimi dhe qërimi i lëkurës, andaj është shumë me rëndësi që të zbatohet kujdes i veçantë dhe adekuat për lëkurën, veçmas gjatë periudhës së verës.

Në vijim janë disa udhëzime praktike për të shmangur telashet e padëshiruara dhe irrituese të lëkurës në sezonin e pushimeve.

Përdorimi i kremrave

Nevoja për të hequr me duar lëkurën e vdekur trupore bëhet e domosdoshme, porse këshillohet që një gjë e tillë assesi të mos bëhet.

Kjo pasi që çdo heqje e përshpejtuar e lëkurës së djegur mund ta ngadalësojë procesin e rigjenerimit të saj. Mënyra më e mirë e veprimit është që të lejohet që lëkura të “zhvishet vetvetiu” dhe të lirohet nga qelizat e vdekura.

Për këtë duhet përdorur kremra dhe losione hidratuese, të cilat e ushqejnë lëkurën. Porse një tjetër preparat i efektshëm është edhe mjalti.

Procesi i qërimit të lëkurës mund të zgjasë dy deri në katër ditë, pasi që skuqja nga djegia të zhduket, apo edhe pas shtatë ditësh, varësisht nga ashpërsia e djegies së pësuar.

Mjerisht, zbokthimi i lëkurës së djegur nuk mund të parandalohet. Është me rëndësi që të përdoren rregullisht kremrat e ​​diellit dhe të shmanget ekspozimi i tepruar para rrezeve të diellit.

Ushqimi i lëkurës

Mirëpo duhet ditur se qërimi i lëkurës ka një qëllim specifik. Në këtë mënyrë, trupi i eliminon qelizat e dëmtuara të lëkurës si rrjedhojë e ekspozimit në rrezet UV të diellit.

Një tjetër lajm i mirë lidhur me procesin është se procesi i shërimit mund të përshpejtohet me anë të disa preparateve që tashmë gjenden në shtëpitë e akëcilit.

Përveç përdorimit të kremrave dhe losioneve hidratuese, si dhe mjaltit, për ushqimin dhe përgatitjen e lëkurës mund të përdoret edhe mielli i tërshërës të njomur në qumësht.

Porse një ndihmesë efikase për lehtësimin e pasojave të djegies janë edhe kompresat e ftohta. Për këtë mund të përdoren peshqirët e njomur në qumësht, por edhe në çajin jeshil, i cili ka veti të shumta ushqyese për lëkurën dhe trupin në përgjithësi.


Të ngjashme