Ministria e Financave, përmes një sqarimi dërguar mediave, ka thënë se kërkesa e ministrit të Financave, Bedri Hamza, që shkurtimi i afatit për verifikimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, nga 5 vjet sa ka qenë, në 5 muaj, ka pasur për qëllim që të prekurit të përfitojnë sa më shpejtë.
“Qëllimi i kërkesës së Ministrit të Financave Bedri Hamza ishte dhe është që viktimat e dhunës seksuale si kategoria më e ndjeshme e shoqërisë tonë në Kosovë, të përfitojnë sa më shpejtë pagesat ashtu siç parashihen edhe me ligj, meqenëse është kategoria e cila deri më tani nuk është trajtuar siç duhet dhe ende nuk kanë përfituar asnjë ndihmë nga shteti”. “Andaj, duke e trajtuar me seriozitet të madh si çështje ligjore dhe morale, ministri Bedri Hamza ka kërkuar gjithmonë me qëllim të mirë që ky proces të finalizohet sa më shpejt, mundësisht brenda një afati 5 mujor, me qëllim që kjo kategori t’i përfitojë sa më shpejtë që është e mundur pagesat ashtu siç edhe parashihet me ligj”, thuhet në sqarimin e MF-së.
Kërkesa e ministrit Hamza për shkurtim të afatit të verifikimit, sipas MF-së, ka ardhur si rezultat i kërkesave të vazhdueshme të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe Shoqërisë Civile, që shteti të filloj të zbatojë legjislacionin në mënyrë që sa më shpejtë të përfitojnë pagesat kjo kategori.