MF-ja kontraktoi konsulent për kryerjen e punëve të përditshme administrative, reagon Demokraci Plus

Prishtinë | 28 Maj 2024 | 11:35 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, po vazhdon t’i vazhdojë kontratat e punës me ekspert dhe konsulent në pozitat që duhet të plotësohen me staf të rregullt.

Për këtë, ka reaguar organizata Demokraci Plus, e cila i ka kërkuar nga MFPT-ja që të mos i përdorë këto marrëveshje për shërbime të veçanta, raporton Ekonomia Online.

Sipas D+, MFPT edhe në vitin 2024 kontraktoi të njëjtin konsulent për kryerjen e punëve të përditshme administrative.

“Nga viti 2021 deri në vitin 2024, MFPT ka zhvilluar pesë aktivitete të prokurimit, në katër raste ka shpërblyer të njëjtin konsulent. Tre nga pesë aktivitetet e zhvilluara kishin për qëllim kryerjen e punëve që janë përgjegjësi e Departamentit të Tatimit në Pronë, si: dhënia e sqarimeve komunave të cilat kanë paqartësi lidhur me tatimin në pronë, përgatitja e listës me të dhëna mbi detyrimet e komunave, bashkëpunimin me Zyrat e Tatimit në Pronë nëpër komuna, etj”, thuhet në reagimin e Demokraci Plusit.

Sipas kësaj organizate, përmes dy aktiviteteve të tjera ishin paraparë të kryhen punë që janë përgjegjësi dhe obligim i Departamentit për Vlerësimin e Pronave të Paluajtshme, si: vlerësimi i pronave të paluajtshme me qëllim tatimi, përdorimin e sistemit të TI-së në lidhje me procesin e vlerësimit të pronave, përgatitjen e raporteve lidhur me procedurën e shpronësimit dhe këmbimit të pronave, etj.

“D+ ka monitoruar këto kontrata dhe në vitin 2023, të evidentuara në raportin “Keqpërdorimi i marrëveshjeve për shërbime të veçanta në nivelin qendror’’. Kontraktimet e tilla duhet të ndalen sepse dëmtojnë konkurrencën e lirë, krijojnë mundësi për favorizime, krijojnë pozita paralele brenda institucionit dhe dekurajojnë stafin e rregullt sepse konsulentët kanë kompensime më të larta mujore për përgjegjësitë dhe detyrat e njëjta”, theksohet në reagimin e kësaj organizate.

Të ngjashme