Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), shumë shpejt do të bëhet me buxhet për organizimin e zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen më 6 tetor të këtij viti.
Këshilltari i Ministrit në detyrë të Financave (MF), Lulëzim Rafuna, në një intervistë për EkonomiaOnline, bën të ditur se të martën kanë pranuar kërkesën nga KQZ-ja për ndarjen e mjeteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Ai thotë se menjëherë kanë shqyrtuar kërkesën e KQZ-së dhe buxheti do t’u vihet në dispozicion porsa të përfundojnë procedurat e brendshme ligjore në MF, pa e pritur vendimin e Kushtetueses për ligjshmërinë e vendimeve të Qeverisë, pas dorëheqjes së Haradinajt.
“MF dje ka pranuar kërkesën për ndarje buxhetore ose për alokim të mjeteve nga ana e KQZ-së, buxheti i cili u nevojitet për t’i organizuar zgjedhjet të cilat janë dekretuar tani më datën 6 tetor të këtij viti. Në momentin e marrjes së kërkesës MF ka filluar përgatitjet dhe ka filluar shqyrtimin e kërkesës së KQZ-së dhe ne duke ditur rëndësinë që e kanë organizimi i zgjedhjeve dhe rëndësinë që ka buxheti për KQZ-në, konform dispozitave ligjore që janë në fuqi do t’i marrim gjitha veprimet që buxhetin t’ia vëmë në dispozicion KQZ-së porsa të përfundojmë procedurat e brendshme ligjore brenda MF”, tha Rafuna.
Rafuna thotë se ky vit nuk është paraparë të jetë vit zgjedhor, megjithatë, thotë se brenda MF-së, është një linjë nënprogram që quhet Kontigjenca brenda MF-së dhe me këtë Ministri i Financave mund ta bartë tek KQZ-ja shumën që i është kërkuar.
“Nuk është në kuadër të rezervave shtetërore, kjo është një kontigjencë nënprogram që gjendet në MF edhe pse nuk ka qenë vit zgjedhor mirëpo ne kemi qenë shumë të kujdesshëm sepse nuk kemi ditur se do ketë zgjedhje por për çdo rast të situatave të ndryshme që mund të dalin ndërkohë, se dihet se buxheti përgatitet një vit më herët, ne kemi planifikuar dhe kemi nda një nënprogram që quhet Kontigjenca brenda Ministrisë së Financave një shumë të caktuar, shumë që mbulon shumën që kërkohet nga KQZ-ja dhe ministri i financave ka autorizimet ligjore që me kërkesën e Organizatës Buxhetore në këtë rast KQZ ta bartë atë shumë sa është e kërkuar nga KQZ-ja në buxhetin e KQZ-së”, tregoi ai.
Rafuna tha se nuk do të ketë vonesa në ndarjen buxhetore, pasi që KQZ-ja dje e ka paraqitur kërkesën, ndërsa MF-ja brenda 4-5 dite do të përfundojë kjo procedurë.
“Nuk do të ketë asnjë vonesë sepse KQZ-ja qysh dje e ka dorëzuar kërkesën, sot është dita e parë që ne kemi pranuar kërkesën dhe menjëherë e kemi vu në shqyrtim kërkesën e tyre, më pas KQZ-ja e ka një pjesë të buxhetit të lirë, mjete të lira ku ne i kemi dhënë dritën e gjelbër që ata mund ta shfrytëzojnë atë pjesë deri sa ne t’i kryejmë procedurat e brendshme ligjore sepse edhe ne kemi procedura të brendshme ligjore ku nuk bëhet fjalë çështje javësh por ditësh. 4 ditë më shumë kur do përfundojnë gjitha procedurat siç kanë ndodh edhe në të kaluarën edhe në gjitha organizatat tjera buxhetore”, tha Rafuna për EO.
Rafuna thotë se KQZ-ja do të trajtohet me një prioritet më të madh dhe kur të përfundojnë procedurat ligjore brenda MF-së, mjetet do t’i barten KQZ-së.
“KQZ-në ne për shkak të rëndësisë e trajtojmë me prioritet më të lartë dhe porsa t’i përfundojmë gjitha këto procedura ligjore t’i kompletojmë brenda MF ne do ia vëmë në dispozicion buxhetin e kërkuar. Kështu që nga ana e MF nuk ka asnjë vonesë dhe nuk do të ketë, shpresojmë që edhe nga ana e KQZ-së të mos ketë ndonjë pengesë apo vonesë në mënyrë që ata t’i kompletojnë gjitha procedurat e tyre për të realizuar në mënyrë sa më të suksesshme dhe kualitative zgjedhjet e 6 tetorit”, shtoi ai.
Përgatitjet për zgjedhjet e 6 tetorit do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 5 milionë e 698 mijë euro.